Mbrëmjen e kaluar u plagos me armë zjarri në fshatin Poshnjë në Dimal një 33-vjeçar, Iliaz Ismailaj.
Sot policia thotë se ka identifikuar dhe arrestuar dy autorët e ngjarjes dhe ka shpallur në kërkim dhe 4 të tjerë, të dyshuar si bashkautorë.
Të arrestuarit janë: A.Sh., 35 vjeç, banues në fshatin Kurjan, Rroskovec dhe A.F., 32 vjeç., banues në fshatin Otllak, Berat.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 19:00 të mbrëmjes në fshatin Poshnjë. I plagosuri Iliaz Ismailaj kishte vetëm disa ditë që ishte kthyer nga Anglia.
NJOFTIMI I POLICISË
Në vijim të veprimeve të kryera nga grupi hetimor për zbulimin dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi I.I., 33 vjeç, bazuar në veprimet hetimore për të gjithë dinamikën e ngjarjes dhe në provat e grumbulluara, u bë e mundur identifikimi i autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në DVP Berat dhe Komisariatin e Policisë Berat, në bashkëpunim edhe me DVP Fier bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të dy prej autorëve të dyshuar të ngjarjes:
Ata janë, shtetasit A.Sh., 35 vjeç, banues në fshatin Kurjan, Rroskovec dhe A.F., 32 vjeç., banues në fshatin Otllak, Berat.
Në vijim të veprimeve hetimore janë identifikuar dhe shpallur në kërkim edhe bashkëautorët e tjerë të kësaj ngjarje, shtetasit: F.Sh., 30 vjeç, I.N., 48 vjeç, M.H., 33 vjeç dhe N.T., 32 vjeç. Po punohet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprën penale “Vrasje me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim.