Vendosni fjalën kyçe....

Irani: Inspektorët nuk do kenë më qasje në objektet bërthamore, ka skaduar marrëveshja


Kryetari i parlamentit të Iranit tha të dielën se inspektorët ndërkombëtarë nuk mund të kenë më qasje për të vëzhguar imazhet e marra në impiantet bërthamore të Republikës Islamike, duke përshkallëzuar tensionet mes përpjekjeve diplomatike në Vjenë për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore të Teheranit me fuqitë botërore.

Komentet nga kryetari i parlamentit të Iranit Mohammad Bagher Qalibaf, transmetuar nga televizioni shtetëror, nënvizuan më tej hapësirën e ngushtë që kanë Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët për të arritur marrëveshje me Iranin.

Republika Islamike tashmë po pasuron dhe grumbullon uranium në nivele shumë më të larta se ato të lejuara nga marrëveshja e saj bërthamore e vitit 2015.

“Lidhur me këtë dhe bazuar në skadimin e afatit tre-mujor, padyshim që Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike nuk do të ketë të drejtën për të marrë pamje duke filluar nga 22 maji,” tha Qalibaf.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike kishte thënë se drejtori i saj i përgjithshëm do të informonte gazetarët të dielën më vonë në Vjenë. Agjencia e Kombeve të Bashkuara nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.

Sipas asaj që quhet një “Protokoll Shtesë” me Iranin, agjencia “mbledh dhe analizon qindra mijëra imazhe të marra çdo ditë nga kamerat e saj të sofistikuara të mbikëqyrjes”, tha agjencia në vitin 2017.

Parlamenti i Iranit miratoi në dhjetor një projekt-ligj që do të pezullonte një pjesë të inspektimeve nga OKB në objektet e tij bërthamore nëse nënshkruesit evropianë nuk siguronin lehtësim nga sanksionet bankare dhe të naftës deri në shkurt. IAEA arriti një marrëveshje tre-mujore me Iranin që të vazhdonte mbikëqyrjen, me Teheranin që kërcënonte t’i fshinte imazhet më pas nëse nuk ishte arritur ndonjë marrëveshje.

Qalibaf tha se Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Ali Khamenei, i cili ka fjalën e fundit për të gjitha çështjet e shtetit, e mbështeste vendimin.

Në vitin 2018, Presidenti i atëhershëm Donald Trump tërhoqi Shtetet e Bashkuara në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja bërthamore, e njohur si Plani i Përbashkët i Përgjithshëm i Veprimit. Një seri incidentesh përshkallëzuese që nga ajo tërheqje ka kërcënuar Lindjen e Mesme.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *