Kryeministri Edi Rama gjatë ceremonisë të hapur të stërvitjes së NATO-s “Defender 21” mbajti fjalimin ku nënvizoi rëndësinë e këtij ushtrimi në vendin tonë.
Rama tha se do rriten kapacitetet e forcave të armatosura ndërsa falënderoi të pranishmit në ceremoni.
Ndër të tjera, Kryeministri Rama theksoi se Ambasadorja Yuri Kim i ka dhënë një cilësi të re marrëdhënieve mes dy shteteve.
“Miq dhe të ftuar, është një nder i veçantë dhe një privilegj për mua që sot në emër të qeverisë të shpreh mirënjohjen për Ushtarakët e përfshirë në këtë stërvitje. Dëshiroj që përveç mirënjohjes për të gjithë ata me uniform që janë përfshirë në këtë stërvitje dhe përbëjnë edhe garancinë dhe sigurinë e përditshme për shqiptarët dhe Shqipërinë me përkushtimin dhe sakrificat e tyre të shpreh mirënjohje edhe për familjet e tyre.
Familje që sakrifikojnë çdo ditë që janë të parat që preken nga emocione për shkak të përfshirjes së familjarëve të tyre në FA. Sot dua të falenderoj të gjithë ushtarakët e përfshirë në këtë stërvitje domethënëse nga SHBA dhe të gjithë vendet e tjera. I bëj një falenderim Kim, e cila me përkushtimin e saj i ka dhënë një cilësi të re marrëdhënieve mes dy shteteve duke u përfshirë në vetë të parë në mbështetje të kërkesave dhe nevojave, në drejtësi dhe mbrojtje. Besimi që SHBA kanë treguar në vijim te ky partneritet dhe aleancë e madhe strategjike me Shqipërinë e vogël kulmon me këtë stërvitje që jo rastësisht është stërvitja më e madhe dhe me përfshirjen më domethënëse.
Nënvizoj që ndërkohë që kjo shfaqje e bukur për t’u dhënë mundësi qytetarëve të vijnë të vizitojnë këtë arsenal nuk do ishte e tillë nëse nuk do kishte qenë mbështetja e SHBA për rritjen e kapaciteteve të ushtrisë shqiptare. Kam besim se ne do të mund të hedhim hapa të tjerë kuptimplotë në rritjen e cilësisë së burimeve njerëzore të FA duke krijuar kështu një hapësirë tërheqëse për ta materializuar thirrjen për të rinjtë që duhet ta shohin adresën e FA si mundësi të artë për formimin edhe pas shkollimit”-tha Rama.