Vendosni fjalën kyçe....

Dyshohet se organizonte persona për shpërndarjen e drogës, pezullohet efektivi narkotikëve në Durrës


SHÇBA ka pezulluar nga detyra pas vendimit të Gjykatës efektivin e policisë Edvin Sinani pasi dyshohet se organizonte persona për shpërndarjen e lëndëve narkotike në Durrës.

Sinani mbante detyrën e specialistit të narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës.

Ai dyshohet se organizonte persona për të shpërndarë lëndë narkotike në vende të ndryshme të qytetit të Durrrësit, të cilët nga ana tjetër i jepnin informacione për shpërndarës të tjerë, me qëllim goditjen e tyre nga ana e punonjësit të Policisë.

Njoftimi i SHÇBA:

Drejtoria Rajonale e SHÇBA-së Durrës-Kavajë në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës finalizuan me sukses operacionin në funksion të procedimit penal nr. 444, viti 2020, për veprat e “Shpërdorimit të detyrës“ dhe “Prodhim e shpërndarje të lëndëve narkotike”.

Pas një hetimi disa mujor me metoda speciale të hetimit u dokumentua me prova ligjore veprimtaria e kundraligjshme e punonjësit të Policisë E.S., i cili kryente funksionin e specialistit për narkotikët në Drejtorinë Vendore Policisë Durrës.

Gjatë ushtrimit të detyrës, ky punonjës policie dyshohet se organizonte persona për të shpërndarë lëndë narkotike në vende të ndryshme të qytetit të Durrrësit, të cilët nga ana tjetër i jepnin informacione për shpërndarës të tjerë, me qëllim goditjen e tyre nga ana e punonjësit të Policisë.

Gjithashtu, specialisti i Antidrogës në bashkëpunim me këta shtetas, organizohej duke i veshur me uniforma policie për të bërë të mundur kapjen e shpërndarësve të lëndëve narkotike dhe më pas i lironin duke mos ushtruar ndjekje penale ndaj tyre.

Mbi bazën e regjistrimit të procedimit penal dhe në perfundim të hetimeve paraprake, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës vendosi caktimin në mungesë të masës së sigurimit personal ndalues ”Pezullim i ushtrimit të një detyre a një shërbimi publik” ndaj shtetasit E.S., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre”.

Për bashkëpunëtorët e tij, hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *