Policia ka identifikuar njërin prej personave të dyshuar lidhur me grabitjen e ndodhur në orët e natës në Lezhë, ku u dhunua një çift bashkëshortësh.
Personi i dyshuar Pavlin Dokaj, 23-vjeç, është shpallur në kërkim.
Kujtojmë se pronari i banesës, 61-vjeçari Gjergj Doçi, ka treguar se ai vetë nuk ka mundur dot t’i identifikojë autorët që e grabitën dhe dhunuan atë dhe të shoqen.
“Dëgjova zhurmë dhe dola menjëherë. Ishin dy të maskuar dhe me rroba të zeza, të armatosur. Kërkuan lekë, i thashë që nuk kemi”– është shprehur ai para kamerave.
Doçi ka treguar se grabitësit e kanë dhunuar atë dhe gruan e tij me objekte të forta dhe se gruaja ndodhet në gjendje më të rëndë, në spitalin e Traumës në Tiranë.
NJOFTIMI I POLICISË
Zbardhet ngjarja e ndodhur në Spiten, Lezhë, ku 2 shtetas vodhën me dhunë në banesën e një çifti bashkëshortësh.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim njëri prej autorëve.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë, falë veprimeve të shpejta hetimore dhe punës intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur gjatë orëve të para të datës 24.05.2021, në Spiten, Lezhë, ku 2 shtetas i vodhën me dhunë një sasi lekësh dhe 2 aparate celularë shtetasve Gj. D., 57 vjeç dhe V. D., 47 vjeçe, bënë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të njërit prej autorëve të dyshuar, shtetasi P. D.,23 vjeç, banues në Spiten, Lezhë.
Nga ana e Policisë vijon puna ndalimin e 23-vjeçarit Pavlin Dokaj dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit tjetër të dyshuar si i implikuar në këtë ngjarje, me qëllim vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë” kryer në bashkëpunim.