“Ngarkohet shoqëria civile të “mbikëqyrë” ndërmarrjen e Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë, duke e detyruar këtë të fundit të njoftojë qendrën Res Publica dhe shoqatën Impetus për analizat e të gjithë treguesve dhe masat që do të merren për përmirësimin të cilësisë së ujit”
Me vendim Gjykate, ujë me të cilin furnizohej Tirana në vitet 2016-2017 ishte përgjithësisht jashtë parametrave për t’u konsideruar “i pijshëm”, me pasoja të dëmshme për shëndetin.
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë ka pranuar të Hënën, se cilësia e ujit që furnizohej kryeqyteti në vitet 2016-2017 (kohë kur u ngrit padia) ishte jashtë parametrave që garantojnë cilësinë e konsumimit.
Me një vendim të paprecedentë Gjykata ka detyruar shoqërinë shtetërore Ujësjellës Kanalizime Tiranë sh.a për të njoftuar dy organizatat e shoqërisë civile për masat që do të ndarmarrë në përmirësimin e cilësisë së ujit. Në kë mënyrë, shoqëria civile po merr rolin e një “mbikqyrësi” me vendim gjykate.
Në vitin 2017, “Qendra Res Publika” dhe shoqata “Impetus” iu drejtuan gjykatës së Tiranës për të detyruar ndërmarrjen e Ujësjellës Kanalizime Tiranë që të kryerjë të gjitha analizat për të garantuar cilësinë e ujit të pijshëm në qytetin e Tiranës sipas standardeve të vendosura me Vendim të Këshillit të Ministrave.
Sipas padisë, në zona të ndryshme të Tiranës, niveli i escherichia coli (bakter i dëmshëm për shëndetin) është më shumë se norma e lejuar sipas rregullores për ujin e pijshëm.
E njëjta gjë ndodh dhe me nivelin e streptococci faecal, bakter i dëmshëm për shëndetin, ndërsa niveli i Klorit (kimikat) rezulton shpesh herë të jetë mbi 0.5 (norma maksimale e lejuar nga VKM nr. 379, dt. 25.05.2016).
“Ka rezultuar se analizat mikrobiologjikë apo kimikë që garantojnë cilësisë së ujit të pijshëm. janë bërë nga një laborator i pa akredituar, duke mos dhënë asnjë garanci për asnjë parametër” – thuhej gjithashtu në padi.
Pas katër vjetësh betejë ligjore, Qendra Res Publika dhe shoqata Impetus ia kanë dalë të sigurojnë nga gjykata një vendim të paprecedent, i cili do të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së ujit në kryeqytet.
Gjykata urdhëroi UKT sh.a. të monitorojë dhe të analizojë të gjitha parametrat e ujit të pijshëm në Tiranë. Sipas vendimit, UKT është e detyruar që këto rezultate të analizave ti dërgojë në Institutin e Shëndetit Publik, për të përcaktuar masat që duhet të merren për të përmirësimin cilësisë së ujit.
Po kështu, gjykata urdhëroi UKT të raportojë tek “Qendra Res Publika” dhe shoqata “Impetus” rezultatet periodike të analizave si dhe masat që do të ndërmarrë kjo ndërmarrje që do të çojnë në garantimin e cilësisë së ujit të pijshëm.
Avokati Dorian Matlija e konsideroi vendimin si një hap të rëndësishëm që do të ndikojë në përmirësimin e gjendjes së furnizimit me ujë të pijshëm të kryeqytetit, si dhe me efekt tek përdoruesit e shtresave të varfëra, të cilët nuk kanë asnjë mundësi tjetër për të siguruar ujin e pijshëm përveç rubinetit. Për këto shtresa, OKB ka përcaktuar standarde të furnizimit me ujë, si një e drejtë social ekonomike që qendron më vete.
“Tashmë kemi dhe një vendim gjykate e cila pranon dhe zyrtarizon se uji i pishën nuk ka qenë në parametrat e duhura në Tiranë dhe me shumë gjasa nuk është as sot. Ajo që kemi fituar është, si të thuash, ne jemi bërë mbikqyrës të shoqërisë shtetërore, Ujësjellës Kanalizime Tiranë, të cilët gjykata i urdhëron, jo vetëm bëjë të gjitha analizat periodike të ujit të pijshëm, por edhe të na vërë në dijeni dhe ne si paditës, qendrën Res Publika dhe shoqatën Impetus për rezultatet dhe hapat që ajo do të ndërmarrë në përmirësimin e cilësisë së ujit. Kujtojmë këtu që kontrata tip e furnizimit me ujë detyron UKT të ndërpresë furnizimin me ujë nëse ai është jashtë standardeve, si dhe të bëjë publike në kohë reale këtë fakt për konsumatorët, që ata mos të rrezikohen. Shkurt, UKT do duhet ta marrë seriozisht këtë problem tani e tutje sepse ndryshe do të përballen me forcën e ligjit. I bëj thirrje UKT që të mos rreket të përdorë taktika ankimesh për të vonuar që vendimi të marrë formë të prerë, duke shtyrë për më vonë këtë ndryshim të rëndësishëm në qasjen ndaj konsumatorëve” – deklaroi pas vendimit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, avokati Dorian Matlija.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Respublica