Vendosni fjalën kyçe....

Arrihet marrëveshja, Biden e Putin do takohen më 16 qershor në Zvicër

Presidenti amerikan Biden e ai rus Putin do takohen më 16 qershor në Gjenevë të Zvicrës, një vend tradicionalisht neutral që nuk është anëtar i asnjë blloku të madh ushtarak.

Biden e Putin do mbajnë një samit dypalësh në Gjenevë, konfirmoi Kremlini. Në Gjenevë ndodhen selitë e shumë organizatave ndërkombëtare dhe shpesh aty zhvillohen takime mes palëve të treta për çështje të ndryshme.

Kjo nuk është hera e parë që Biden e Putin takohen po është e para herë që kur Biden është zgjedhur në krye të Shtëpisë së Bardhë. Të dy udhëheqësit kanë një gamë të gjerë temash të vështira për të diskutuar, duke marrë parasysh që SHBA dhe Rusia janë aktualisht në pikën më të ulët në marrëdhëniet e tyre prej dhjetëvjeçarësh.

Tensionet arritën kulmin në mars kur Biden e quajti Putinin ‘vrasës’. Presidenti rus u përgjigj duke i dëshiruar homologut të tij shëndet të mirë dhe duke cituar një shprehje që kishte përdorur kur ishte fëmijë me shoket e tij: “Ai që shan është i sharë.”

Administrata Biden akuzoi Rusinë për një sërë veprimesh të mbrapshta, nga pirateria e rrjeteve kompjuterike amerikane te militarizimi i rajonit të Arktikut, deri te ‘armatosja’ e vaksinave të saj kundër Covid-19 për të dëmtuar interesat e SHBA-së dhe aleatëve të saj.

Moska thotë se Uashingtoni thjesht po përpiqet të dëmtojë ekonominë ruse me sanksione të pabazuara dhe akuza politike sepse nuk mund të tolerojë qeveritë që ndjekin politika sovrane.

Përgatiti për Hashtag.al, K.Manjani

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *