Këtë të hënë Bashkia e Tiranës ka njoftuar një procedurë prokurimi për mobilimin e shkollave të dëmtuara nga tërmeti.
Siç vihet re në vendimin e publikuar në APP, objekti i këtij prokurorimi është ”Mobilim me pajisje dhe orendi të objekteve arsimore të dëmtuara nga tërmeti”.
Megjithëse nuk jepen detaje apo specifikime mbi sasinë e mobiljeve apo orendive që kërkohen, thuhet se kjo gjë do të përcaktohet gjatë negociimit me kompaninë që do kalojë fazën e parë të shprehjes së interesimit. Fondi limit është vendosur 927 milionë e 542 mijë e 378 lekë. Apo rreth 7.5 milionë euro.
Afati kohor për dorëzimin e ofertave ose kërkesave nga kompanitë e interesuara për të marrë pjesë në këtë garë prokurorimi, do të jetë deri më 3 qershor, 2021.
Afati i lëvrimit në momentin që do të shpallet edhe fituesi do të jetë 2 muaj.
Bashkia ka përcaktuar edhe disa kushte që bizneset duhet të përmbushin, për t’u pranuar oferta e tyre.
Kandidatët, që nuk i plotësojnë kriteret e kualifikimit, skualifikohen dhe njoftohen menjëherë për këtë skualifikim.
Kriteret e Vlerësimit thuhet se janë: koha e zbatimit të kontratës, operatori ekonomik duhet të tregojë aftësinë për t’i transformuar kërkesat e specifikimeve teknike dhe kostot në plan pune konkret me qëllim për të realizuar furnizimin sipas afatit, çmimi më i ulët, operatori ekonomik duhet të përshkruajë ofertën. Treguesit dhe analiza cilësore në punë duke përcatuar elementet e saj.
Sipas dokumenteve bizneset duhet të përmbushin një sërë kriteresh që nisin nga ato të përgjithshme me regjistrimin në QKR, nuk është në proces falimentimi, (statusi aktiv), nuk është dënuar për shkelje penale, në përputhje me Nenin 42 të Aktit Normativ, nuk është dënuar me vendim të gjykatës së formës së prerë, për vepra që lidhen me veprimtarinë profesionale dhe që ka paguar të gjitha detyrimet për pagimin e tatimeve e të kontributeve të sigurimeve shoqërore, sipas legjislacionit në fuqi.