Vendosni fjalën kyçe....

Dollari bie në nivelin më të ulët që nga viti 2010; Pse nënçmohet euro edhe pse në bursa po rritet


Dollari amerikan shënoi sot pikën më të ulët në 11 vitet e fundit në kursin e këmbimit me lekun.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se të martën dollari u këmbye me 100.48 lekë, në rënie të mëtejshme me 0.43 pikë krahasuar me ditën e hënë. Krahasuar me një vit më parë, dollari amerikan është nënçmuar me mbi 12% në kursin e këmbimit me lekun.

Leku ishte forcuar ndjeshëm ndaj dollarit edhe në tremujorin e fundit të vitit të vitit të kaluar, duke zbritur deri në vlerën e 100.66 lekëve. Në muajt e parë të vitit 2021, kursi i dollarit u rimëkëmb duke arritur deri pranë kufirit të 105 lekëve në fund të muajit mars; pas muajit prill, dollari filloi sërish rënien, që kulmoi sot me nivelin më të ulët që prej vitit 2010.

Sipas ekspertëve, ndryshe nga sa ndodh me euron, kursi i këmbimit të valutave të tjera nuk ndikohet shumë nga tregu i brendshëm. Ecuria e kursit të USD /ALL është kryesisht reflektimi i ecurisë së kursit EUR/USD në tregjet botërore dhe nuk lidhet me faktorë ekonomiko-financiarë të tregut tonë. Rrjedhimisht, forcimi i lekut kundrejt dollarit amerikan është një rrjedhojë e dobësimit të dollarit amerikan kundrejt monedhës europiane në tregun botëror.

Të martën, dollari këmbehej me 0.82 euro, niveli më i ulët vjetor dhe gjithashtu më i ulëti që prej vitit 2018. Gjatë tremujorit të parë të vitit, forcimi i dollarit ishte nxitur nga besimi investitorëve se ekonomia amerikane do të rimëkëmbej më shpejt krahasuar me ekonomitë e tjera të zhvilluara.

Ky besim mbështetej në një ecuri më të shpejtë të vaksinimit, por edhe stimujve shumë të mëdhenj monetarë. Në fund të muajit mars, dollari arriti pikën më të lartë, mbi nivelin  e 0.85 eurove. Por, optimizmi në dy muajt e fundit ka ardhur në rënie.

Stimujt fiskalë të premtuar nga Presidenti i ri Joe Biden dhe zbutja e qëndrimit të Rezervës Federale nga politikat monetare të shtrëngimit paraprak për t’i paraprirë inflacionit kanë shtuar shqetësimet për një rrezik më të lartë inflacionist mbi monedhën amerikane.

Dyshimi në rritje rreth besueshmërisë së Rezervës Federale në misionin për të mbajtur nën kontroll inflacionin vlerësohet nga ekspertët si faktor që mund të rrisë pritshmëritë e investitorëve për një inflacion më të lartë dhe rrjedhimisht humbje të vlerës së dollarit.

Një sondazhi i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka treguar se pesha e dollarit amerikan në rezervat e mbajtura nga bankat qendrore ka rënë në 59%, niveli më ulët në 25 vitet e fundit. Kur euro u hodh në treg, në vitin 1999, 71% e rezervave mbaheshin në dollarë amerikanë.

Euro në rënie, edhe pse rritet në bursa

Në bursat ndërkombëtare, euro u këmbye sot me 1.226 dollarë, duke arritur nivelin më të lartë që nga janari i këtij viti. Por, në tregun vendas, euro humbi pikë lehtë me 0.02 lekë, duke u këmbyer me 123.02 lekë dhe duke u këmbyer afër niveleve më të ulëta që përpara fillimit të pandemisë.

Nënçmimi i euros, pavarësisht rritjes së tij në bursa është dhe një nga arsye e rënies së fortë të dollarit në tregun vendas, për të ruajtur raportet e kryqëzuara me tregjet ndërkombëtare.

Oferta e lartë e euros në tregun vendas vlerësohet nga operatorët e tregut si arsyeja kryesore që e mban të dobët monedhën e përbashkët.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *