Fatbardh Kadilli, ka mbajtur mesditën e sotme një konferencë për mediet, ku ka shpalosur disa nga pikat e programit të tij për drejtimin e PArtisë Demokratike.
Kadilli foli për një PD të hapur dhe që nuk është peng i kryetarit, siç beson se po e mban kryetari aktual Lulzim Basha.
Kadilli thotë se nëse ai do vijë në drejtim të PD-së, mandati i kryetarit do marrë fund pasi ose do jetë kryeministër ose do japë dorëheqjen.
“T’i japim fund një politike që riprodhon në partinë tonë modelin e shekullit XX. Dua t’i kërkoj një ndjesë çdo anëtari të PD pasi koha e shkurtër në dispozicion e bënë të pamundur që unë si kandidat që sfidova qetësinë kënetore të mund të shkel dhe të takojë demokratët.
Turi i fitores nuk ka kalendar në 13. Data 13 është fitore brenda PD dhe më pas do të vijojë për të larguar Edi Ramën. Jam betuar për një parti më të madhe se kryetari.
Kryetari është udhëheqës për 4 vite, dhe ai është ose kryeministër, ose ikën. Administrimi i partisë do duhet të bëhet nga një ‘Këshill të urtësh që kapërcen mandatin e kryetarit dhe të sigurojë zgjedhjet brenda strukturës.
Parimi ‘Një anëtar, një votë’ për zgjedhjen e çdo kryetari, nga seksioni deri tek anëtari më i thjesht. Kjo do të bëhet të paktën një vit më parë nga afatet zgjedhore. Për një PD të hapur dhe të bashkuar, struktura do të jetë elastike, mbi baza profesionesh apo ngjashmërie përfaqësie.”- tha Kadilli.