Gjykata Kushtetuese është shprehur pjesërisht lidhur me përplasjes mes presidentit Meta e kryeministrit Rama mbi emërimin e ministrit të Jashtëm, Cakaj.
Gjykata është e ka pranuar pjesërisht kërkesën lidhur me rastin në fjalë ndërsa thekson se procedura e emërimit e shkarkimit të një ministri ndahet mes presidentit, kryeministrit e Kuvendit.
Po kështu Gjykata Kushtetuese ka vendosur pushimin e gjykimit për kërkimin mbi zgjidhjes së mosmarrëveshjes së kompetencës mes presidentit e kryeministrit.
Përplasja mes kryeministrit Rama e presidentit Meta ndodhi në janar 2019 pas kundërshtimit të kreut të shtetit për dekretimin e propozimit të kryeministrit, Gent Cakajt si ministër i Jashtëm.
Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, mori në shqyrtim në seancën plenare të datës 18.05.2021, çështjen me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, me objekt: “Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencave ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Interpretimi i nenit 98, pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”.
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese, njëzëri,
VENDOSI:
- Pranimin e pjesshëm të kërkesës.
- Pushimin e gjykimit për kërkimin mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës, ndërmjet Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
- Interpretimin përfundimtar të nenit 98 të Kushtetutës, për sa vijon:
- Në procedurën e emërimit dhe shkarkimit të ministrit, Kryeministri, Presidenti dhe Kuvendi, udhëhiqen nga parimi i luajalitetit kushtetues dhe atij të ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
- Kompetenca për emërimin dhe shkarkimin e ministrit ndahet ndërmjet tre organeve të mësipërme.
- Procesi i emërimit të ministrit duhet të garantoje përmbushjen e kritereve dhe cilësive kushtetuese për këtë funksion.
- Vlerësimi dhe verifikimi i kandidatit për ministër, bëhet nga të tre organet e përfshira në proces, secili sipas rolit dhe kompetencave të tij kushtetuese, brenda afateve kushtetuese, në përputhje me arsyetimin e këtij vendimi.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.”