Vendosni fjalën kyçe....

Vrasja e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, gjykata e Apelit lë në burg Arbër Paplekajn, lirohen 10 të akuzuarit e tjerë


Gjykata e Apelit ka lënë sot në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Elbasanit për të dyshuarin Arbër Paplekaj, mbi vrasjen e Pjerin Xhuvanit pak ditë para zgjedhjeve të 25 Prillit.

Paplekaj mbetet me masën e sigurisë personale “arrest me burg”, ndërkohë Apeli ka liruar 10 të akuzuarit e tjerë për ngjarjen, duke i ndjekur ata penalisht në gjendje të lirë.

Janë lënë të lirë Arjan Hoxha, Pavlo Vuksani, Emiljan Prenga, Juljan Mataj, Erald Guga, Erjon Demushi, Taulant Ymeri, Roland Xhepa, Nuredin Kasma, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Heqja e paligjshme e lirisë së personit e kryer me dhunë”në bashkëpunim.

Gjykata ka lënë në fuqi masën detyrim “detyrim paraqitje” edhe për Eldjo Bekon, i akuzuar për moskallëzim krimi, ndërsa vijon të jetë në kërkim Kelmend Xhaferri.

Arbër Paplekaj nuk ishte i pranishëm në seancën e Gjykatës së Apelit. Megjithatë në seancën kur u mor vendimi në Shkallën e Parë, ka qenë i pranishëm dhe ka deklaruar se ndihet i tronditur nga ngjarja.

Vrasja ndodhi më 21 prill, vetëm 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit, ku Pjerin Xhuvani u qëllua me armë nga Arbër Paplekaj. Ky i fundit ishte pjesë e grupit të ngritur për Mbrojtjen e Votës nga PD në këtë qark.

Të plagosur mbetën edhe katër persona të tjerë, Emiljan Prenga, Pavlo Vuksani, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota ( punonjëse e policisë). Paplekaj pranoi krimin dhe u vetëdorëzua në Repartin e Forcave RENEA në Tiranë duke thënë se qëlloi për vetëmbrojtje, pasi u qëllua më parë nga persona që sipas tij po blinin vota.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *