Tetë persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën të mërkurën në mëngjes, kur një njeri i armatosur hapi zjarr në një kompleks për parkimin e tramvajeve në San Hoze të Kalifornisë, thanë autoritetet.
Personi i dyshuar për ngjarjen ishte punonjës i kompleksit dhe gjeti vdekjen gjatë incidentit, tha një zëdhënës i policisë, por pa përcaktuar se si vdiq ai.
Ngjarja ndodhi në një parkim tramvajesh të administruar nga Autoriteti i Transportit Santa Clara Valley, pranë aeroportit kryesor të qytetit.
Një zyrtar tha se të shtënat ndodhën para orës 7 të mëngjesit në një pjesë të objektit ku punëtorët bëjnë mirëmbajtjen e mjeteve dhe jo në qendrën e operacioneve dhe të kontrollit, raporton Zëri i Amerikës.
Autoritetet kanë marrë informacione rreth pranisë së lëndëve shpërthyese në ndërtesë dhe po punojnë për të siguruar secilën prej dhomave të saj, sipas mediave.