Familjet e gazetarit disident bjellorus dhe të dashurës së tij, që janë mbajtur nga autoritetet pas devijimit të një avioni në Bjellorusi, janë shprehur të shqetësuar për sigurinë e tyre.
Roman Protasevich dhe e dashura e tij ruse Sofia Sapega tani po mbahen në paraburgim.
“Unë po i bëj thirrje gjithë bashkësisë ndërkombëtare për ta shpëtuar atë.”- tha nëna e tij, Natalia Protasevich.
Një video e zonjushës Sapega u publikua të martën ndërsa autoritetet thanë se ata do ta mbanin atë për të paktën dy muaj.
Në këtë video, Sapega thotë se ajo redakton një kanal në Telegram i cili publikon informacione personale të policëve Bjellorusë.
Sidoqoftë, ka të ngjarë që ajo po flet e detyruar nga autoritetet bjelloruse.
Sapega dhe Protasevich u arrestuan të dielën, kur një aeroplan që fluturonte nga Athina në Vilnius, në Lituaninë fqinje, u devijua për të zbarkuar në Minsk, kryeqytetin Bjellorus.
Vendet perëndimore akuzojnë Bjellorusinë për rrëmbimin e avionit Ryanair që ndryshoi kurs pas paralajmërimeve për një kërcënim me bombë.
Si masë, disa kompani ajrore evropiane kanë thënë se ata nuk do të fluturojnë mbi Bjellorusinë.
“Sot Sophia u mor në pyetje. Ajo u akuzua për kryerjen e një vepre penale. U zgjodh një masë parandaluese, ndalimi për një periudhë prej dy muajsh.”- tha avokati i saj, Alexander Filanovich për BBC.
Ai tregoi se Sapega tani mbahet në një qendër paraburgimi të KGB-së në kryeqytetin Bjellorus.
Nëna e saj nga ana tjetër ngriti dyshime se sa lirshëm po flet vajza e saj në videon e publikuar nga autoritetet bjelloruse.
“Edhe miqtë e mi më thirrën dhe më thanë… kjo është një sjellje e pazakontë për të.”- tha ajo për BBC. “Ajo lëkundet, sytë i mban në qiell – sikur të ketë frikë se mos harron diçka.”