Vendosni fjalën kyçe....

Fauci pranon se SHBA ka financuar laboratorin e Virologjisë në Wuhan: I dhamë 600 mijë dollarë


Anthony Fauci ka pranuar se SHBA-ja ka financuar laboratorin në Wuhan të Kinës, ku ka dyshime se koronavirusi ka dalë prej aty.

Fauci, i cili është kreu i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive (NIAID), u paraqit të martën përpara një komiteti të buxhetit të Kongresit.

Ai e mbrojti financimin “modest” dhe “shumë të respektueshëm” të SHBA-ve për laboratorin në Wuhan – i cili tani është në qendër të spekulimeve si një burim i mundshëm i virusit COVID-19.

Fauci mbrojti alokimin e 600 mijë dollarëve për një grup të quajtur EcoHealth Alliance, i cili më pas pagoi Institutin e Virologjisë në Wuhan për të studiuar rrezikun që koronaviruset e lakuriqëve të natës mund të sillnin tek njerëzit.

Fauci tha se hulumtimi ishte thelbësor, duke theksuar se shpërthimi i SARS-it në fillim të viteve 2000 u gjurmua përfundimisht te lakuriqët e natës.

“Unë do të kisha qenë pothuajse duke zhvlerësuar detyrën tonë nëse nuk do ta studionim këtë, dhe mënyra e vetme që ju mund t’i studioni këto gjëra është që të duhet të shkoni atje ku ndodh veprimi.”– tha ai, citon Daily Mail. “Pra, kemi pasur një bashkëpunim modest me shkencëtarë shumë të respektuar kinezë, të cilët ishin ekspertë botërorë për koronavirusin dhe e bëmë atë përmes një nën-granti nga një grant më i madh për EcoHealth.”

Fauci shtoi: “Granti më i madh ishte rreth 600 mijë dollarë për një periudhë pesë vjeçare. Pra, ishte një shumë modeste. Qëllimi i tij ishte të studionte ndërfaqen kafshë-njeri, të bënte mbikëqyrje dhe të përcaktonte nëse këto viruse ishin të aftë të infektonin njerëzit.”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *