Në takimin mes kryetarëve të komunave dhe ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia për të diskutuar rreth procesit të vaksinimit dhe masave të reja kundër COVID-19 është bërë e ditur se gjatë kësaj jave gastronomia pritet të lejohet të punojë deri në mesnatë. Sipas njoftimit lokalet të lejohen të punojnë deri në ora 24:00.
Ndërsa organizimi i dasmave pritet të lejohet nga 15 qershori.
Kryetarët e Komunave kanë mbajtur sot një takim koordinues me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia për të diskutuar rreth procesit të vaksinimit dhe masave të reja, ndërsa u bë e ditur se brenda kësaj jave do të vlerësohet situata dhe pritet të hiqet ora policore, ndërsa nga mesi i qershorit do të lehtësohen edhe masat lidhur me ahengjet.
Në njoftimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës bëhet e ditur se pritet që lokalet të lejohen të punojnë deri në ora 12:00 të natës, ndërsa organizimi i dasmave pritet të lejohet nga 15 qershori.
“Kjo u mirëprit nga Kryetarët e Komunave të cilët vlerësuan të drejtë kërkesën e Asociacionit të Komunave të Kosovës ditë më parë për heqjen e orës policore dhe lehtësimin e masave meqë këto do të kenë ndikim direkt në zhvillimin ekonomik lokal”, thuhet në njoftim.
Referuar njoftimit të AKK-së, ministri Vitia tha se aktualisht tema kryesore është procesi i vaksinimit dhe pritet që të premten të vijnë edhe 100.000 vaksina të reja ku do të nis procesi i vaksinimit në masë të qytetarëve.
“Tek lirimi i masave, pas konsultimeve me kryetarët e komunave, brenda kësaj jave do të vlerësohet situata dhe pritet të hiqet ora policore dhe nga mesi i qershorit do të lehtësohen edhe masat lidhur me ahengjet. Pritet që lokalet të lejohen të punojnë deri në orën 24:00, ndërsa organizimi i dasmave pritet të lejohet nga 15 qershori”, thuhet në njoftimin e AKK-së.
Pas diskutimeve të kryetarëve të komunave, ata u informua se sipas analizës epidemiologjike të muajit te kaluar, rezultatet janë premtuese por respektimi i masave nuk ka alternativë përkundër uljes së rasteve.
Edhe kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka treguar se në takimin e sotëm me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, janë marrë parasysh kërkesat e komunave të Kosovës.
Sipas Ibrahimit, Vitia ka marrë parasysh rekomandimin që të hiqet ora policore, ndërsa gastronomia të lejohet të punojë deri në orën 24:00.
E në rast se gjatë ditëve të vazhdim, situata me Covid 19 do të vazhdojë të jetë stabile, sipas Ibrahimit do të ketë edhe lehtësira të tjera, që kanë ndikim në zhvillimin ekonomik sa i përket hotelerisë dhe sektorëve të tjerë.
Më 18 prill, Qeveria e Kosovës vendosi masat e përgjithshme në nivel të vendit, për të parandaluar përhapjen e COVID-19, duke vendosur kufizimin e lëvizjes, nga ora 22:30, e duke ua ndaluar punën bizneseve nga ora 22:00.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor