Kryeministri Edi Rama ka komentuar për herë të parë vendimin e SHBA-ve, për të shpallur ‘non grata’ ish-kryeministrin Sali Berisha.
Rama la të kuptohet se ka zgjedhur që të injorojë komentet, kur nënvizoi se është i vendosur që të nisë një rrugë të re në aspektin e komunikimit publik. Ai tha se për momentin është 100% i fokusuar tek punët për mandatin e tretë.
“Unë jam 100% i fokusuar tek punët ne se kemi ndalur punë asnjë ditë gjatë fushatës dhe pas fushatës se s’ka kohë për pushim. Dhe nga ana tjetër unë jam i vendosur që ne të nisim një rrugë të re në aspektin e komunikimit publik dhe për këtë arsye të shmangim të gjitha ato aspekte që e kanë kthyer për shumë vite jetën politike të vendit në një telenovele rraskapitëse për njerëzit.
Kështu që unë e përsëris, për mua ka shumë më tepër rëndësi se sa vaksina kryhen gjatë ditës, sa përparojnë kantierët e ndërtimit gjatë ditës, ka shumë më tepër rëndësi se sa angazhimet tona përmbushen pak nga pak, e hap pas hapi me të gjitha vështirësitë e me të gjitha ngjarjet e paparashikueshme.
Për t’i vënë pikë kësaj që thashë, ne jemi duke punuar intensivisht për mandatin e tretë dhe do të dalim para shqiptarëve me programin e angazhimeve konkrete me kongresin tonë të 12 qershorit.”– tha Rama.