Vendosni fjalën kyçe....

Reformat strukturore ekonomike dhe arsimi i lartë!


Nga Irena Beqiraj

Sot u informova në media që ofrimi i diplomave europiane për të rinjtë shqiptarë, paskërkësh qenë një objektiv i mandatit të tretë dhe për këtë arsye, do të nisë puna për ngritjen e Komitetit të Përbashkët për Politikat e Arsimit të Lartë, midis qeverisë dhe universiteteve publike.

Tek e lexoja lajmin, konsiderova pa mëdyshje arritje, faktin që i qenkërkemi  larguar motos, “po dëshiron të mos bëhet asnjë punë, ngri një komitet a grup pune”. Në mandatin e tretë, politikat e mira do t’u bërkërkan me grupe pune, gjë që e konsideroj një hap pozitiv megjithëse mbetet për t’u parë.

Por më shumë se Komiteti rëndësi ka objektivi. A do të na ndihmojë Know-how i universiteteve europiane të ngremë aftësi për të kryer kërkim-zhvillim, për të krijuar dije dhe për t’i transferuar ato në ekonomi? Si do të lidhen dhe do të mbështesin politikat e arsimit të lartë me reformat strukturore aq të nevojshme në  ekonomi?

Po e filloj këtë analizë me këto të fundit. Nuk besoj se ka shqiptar që nuk e ka dëgjuar rekomandimin e ekonomistëve mbi “nevojën për reforma strukturore”. Ndoshta e keni gjetur veten “të humbur” në labirintin e shpjegimeve shpesh të pakuptueshme të ekonomistëve (përfshirë këtu edhe veten).

Thjeshtësisht, por mbase jo edhe aq, për një lexues jo-ekonomist, reformë strukturore do të thotë, hartimi edhe implementimi i politikave, të cilat me anë të ndërhyrjes së shtetit, tentojnë të ndryshojmë strukturën e një ekonomie, duke mbështetur rritjen dhe zhvillimin e sektorëve produktivë, të cilët do të siguronin një rritje ekonomike gjithëpërfshirëse edhe në afat të gjatë.

Edhe nëse sërish duket e komplikuar, një nga reformat strukturore kryesore që kërkohen në stadin e zhvillimit të vendit lidhet me hartimin edhe implementimin e togfjalëshit toksik për vendet ish-socialiste “Politika Industriale”.

Përtej vendeve ish-komuniste, ky togfjalësh është toksik edhe për ekonomistët neoliberalë të dashuruar me Konsensusin e Washingtonit, por duhet thënë dhe pranuar, se pavarësisht mohimit, ato kurrë nuk dolën nga moda. Shpesh për t’i shpëtuar debatit politik, i cili para 2008-s i lidhte padrejtësisht politikat industriale me planifikimin e centralizuar socialist, ua ndryshuam emrin, duke i quajtur në një gjuhë të rafinuar e diplomatike politika të rritjes së produktivitetit.

Por, së fundmi, është pranuar katërçipërisht që ekonomitë e suksesshme gjithmonë janë mbështetur në politika industriale qeveritare, të cilat promovojnë rritjen ekonomike, duke përshpejtuar dhe mbështetur transformimin strukturor, që lidhen jo vetëm me sektorin prodhues, por edhe me sektorë premtues në shërbime. Qëllimi bazë i tyre është rritja e produktivitetit nëpërmjet rritjes së inovacionit, dhe si të tilla do t’i siguronin ekonomisë tonë virtytin bazë që i mungon aftësinë për inovacion.

Ironikisht termi “politika industriale” është anatemaur më së shumti në vendin ku edhe janë përdorur më shumë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në SHBA aftësitë thelbësore inovative janë zhvilluar nëpërmjet ndërhyrjes dhe mbështetjes direkte të qeverisë.

Profesori i Harvardit, Josh Lerner në librin e tij “Bulevardi i Ëndrrave të Thyera”, shpjegon se ishin pikërisht kontratat e Departamentit të Mbrojtjes të SH.B.A.-së që luajtën rolin vendimtar në përshpejtimin e rritjes së hershme të Silicon Valley, si dhe arsyeton që lindja edhe rritja e inovacionit më domethënës të kohëve të sotme, Internetit, u bazua pikërisht në projektet e Departamentit të Mbrojtjes të cilat datojnë në 1969.

Një shembull tjetër shumë interesant që vjen nga vendet në zhvillim është Kili, i cili portretizohet si një parajsë e tregut të lirë.  Por edhe këtu ka qenë qeveria, e cila ka luajtur një rol vendimtar në zhvillimin e çdo eksporti të ri të rëndësishëm që është prodhuar në Kili pas 1974.

Duke filluar nga rrushi kilian, prodhimet e drurit apo industria shumë e suksesshme e salmonit, të gjitha kanë në rrënjë të zhvillimit të tyre, jo me dorën e fshehtë, por dorën drejtuese të shtetit, i cili ka mbështetur dhe përshpejtuar zhvillimin e tyre nëpërmjet institucioneve publike të kërkim-zhvillimit, por edhe të subvencioneve.

Kudo në botë po të gërvishtni sipërfaqen e çdo industrie të re të suksesshme, me shumë gjasa do të gjeni ndihmën e qeverisë që fshihet poshtë saj.  Arsyeja e thjeshtë, shteti është i vetmi aktor i cili mund të përballojë me sukses kostot e kërkim zhvillimit dhe përfitueshmëria mesatare në ekonomi nga projektet kërkimore, të cilat mbështeten nga qeveria janë në të vërtetë më të larta se sa e projekteve kërkimore që kryhen nga sektori privat.

Dani Rodrik, një mendje e ndritur e mendimit ekonomik të shekullit të 21-të na tregon që “Politika industriale më tepër se sa një listë politikash është mënyrë të menduari, kuptohet dhe të vepruari”. Së pari, nga qeveria nuk pritet të zgjedhë sektorët fitues, por të ketë aftësinë të bashkëpunojë dhe mbështesë në mënyrë transparente biznesin, pa qenë nevoja “të ndajë shtratin” me ndonjërin prej tyre.

Edhe së dyti, përtej përjashtimeve nga taksat për sektorë të ndryshëm, të cilat shpesh për shkak të mungesës së transparencës anatemohen si klienteliste, qeveria duhet të synojë krijimin e sistemeve kombëtare të inovacionit, të cilat përbëhen nga kompanitë private, universitetet, institutet/laboratorët kërkimorë publik apo privat, agjencitë qeveritare dhe institucione financiare. Pikërisht, ekzistenca dhe bashkëveprimi midis këtyre aktorëve është jetik dhe i pazëvendësueshëm për zhvillimin e inovacionit brenda një sektori të caktuar.

Pa këto sisteme të cilat krijohen dhe mbështeten nga qeveria, universitetet, qendrat kërkimore dhe biznesi do të mbetën galaktika që nuk komunikojnë me njëra-tjetrën. Pa këto sisteme në Shqipëri do të jetë e pamundur përkthimi i njohurive shkencore në njohuri teknologjike, duke i lënë njohuritë shkencore pavarësisht se nga vijnë apo se ku janë prodhuar, të papërdorura, të varrosura apo magazinuara brenda kullës së fildishtë, të akademisë.

I ashtuquajturi model linear i inovacionit që lidh shkencën me inovacionin nuk mund të funksionojë sepse sektorit të shkencës i mungon pikërisht aftësia për të identifikuar nevojat teknologjike që i duhen sektorit privat. Gjetjet empirike sugjerojnë që modeli linear i inovacionit që i konsideron njohuritë shkencore si imputin më të rëndësishëm për inovacionin nuk ka asnjë mbështetje, veçanërisht kur sistemet kombëtare të inovacionit ose nuk ekzistojnë ose nuk janë efektivë për të lehtësuar transferimin e njohurive.

Njohuritë teknologjike nuk gjenerohen nga njohuritë shkencore, por nga përpjekjet për kërkim-zhvillim, të cilat mungojnë thuajse tërësisht në Shqipëri. Thënë këtë duke zbatuar një politikë që vetëm thekson shkencën, apo thjesht pajisen me diploma europiane për të rinjtë tanë, është e pamjaftueshme dhe nuk mund të gjenerojë përfitime të prekshme ekonomike, as në afat të shkurtër e as në afat të gjatë. Lipset një lidhje direkte e shkencës me biznesin dhe nevojat e tij, si dhe fonde të qenësishme për kërkim-zhvillimin në sektorët premtues.

Pa dyshim do jetë mirë të kemi më shumë studentë që e kanë diplomën të njësuar, mbase edhe me London School of Economics apo Harvardin, por njohuritë shkencore të tyre në mungesë të sistemeve kombëtare të inovacionit nuk do të  sjellin kurrsesi zhvillimin.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Gazetasi


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *