Kryeprokurori i Përgjithshëm Çela ka thënë sot se sistemi ka boshllëqe ndërsa pohoi se komandimet e prokurorëve si drejtues në prokuroruitë e qarqeve nuk është bërë në bazë të rezultateve të punës së tyre.
Ai e bëri deklaratën gjatë raportimit në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
“Ka nje boshllëk në sistem, pasi nuk kontrollohet performanca institucionale. Fragmentarizohet puna ne 28 vullnete prokurorish apo 28 vullnete prokuroresh. Duhet të ketë një zë. Të bëhet dallimi mes pavarësisë institucionale nga ajo hetimore. Për hartën e re gjyqësore duhet të ishte përfshirë Prokuroria e Përgjithshme, por nuk është kërkuar opinion. Nga ana e KLP keni dy tre vite duke komanduar drejtues në periudha 3 mujore në të gjitha prokuroritë e vendit. Në asnjë rast komandimet që keni bërë nuk janë bërë në vlerësimin e performancës së asaj prokurorie. A vallë është pyetur ndonjëherë Prokurori i Përgjithshëm çfarë bëhet në x apo y. Si po u ushtron detyrat prokurori i komanduar.” – tha Çela.
Ai shtoi më tej se një prokuror që mban dosjet në sirtar e nuk vepron nuk mund të jet drejtues i një prokurorie për më tepër duhet të ndëshkohen për moskryerjen e detyrës.
“Kemi drejtues prokurorie që mendojnë se janë drejtues prokurorie të dikurshëm. Harrojnë që ka një marrëdhënie institucionale që duhet të respektojnë. Nuk është drejtues prokurorie ai që mban dosjet në zyrën e vet, këta janë drejtues që duhet ndëshkohen sepse cenojnë pavarësinë e prokurorëve. Kemi të dhëna si po mbahen këto regjistra. Kërkojmë të dhënat dhe të dhënat janë të vakta. Nuk kemi një pasqyrim të qartë, ndaj ne i kemi kërkuar ILD një inspektim tematik për mënyrën si po zbatohen këto kërkesa.” – theksoi Kryeprokurori Çela.