Vendosni fjalën kyçe....

Zgjedhjet në PD, Gjana: Kryem konstituimin përfundimtar të Komisionit, u plotësuam me anëtarët përfaqësues të 4 kandidatëve


Kryetari i komisionit Zgjedhor për zgjedhjet në Partinë Demokratike, Jemin Gjana, ka dalë sot në një konferencë për mediet, ku ka bërë me dije se janë 75.067 anëtarë me të drejtë vote në PD.

Gjana tha se tashmë ka përfunduar konstituimi i Komisionit Zgjedhor në PD duke u plotësuar me nga një anëtar përfaqësues për 4 kandidatët.

DEKLARATA E GJANËS

Në fakt edhe për t’ju përgjigjur interesimit pothuajse të përditshëm të mediave, lidhur me fushatën zgjedhore, gjykuam t’ju informojmë për disa prej vendimeve që janë marrë, mënyrën se si po ecën fushatë, vendimet që janë marrë në Komisionin Zgjedhor të partisë, etj.

Dje pasdite kemi kryer konstituimin përfundimtar të komisionit, në kuptimin që jemi plotësuar me 4 anëtarë, përfaqësues të kandidatëve dhe kemi zhvilluar mbledhjen së bashku me ta.

Pas kësaj, komisioni ka përcaktuar në mbledhjen e djeshme një kalendar të ecurisë të të gjithë procesit të zgjedhjeve deri në ditën e shpalljes së kandidatit fitues.

Fushata ka nisur në datë 24 Maj dhe do të mbyllet në datë 11 Qershor, sepse pastaj fillon heshtja zgjedhore.

Deri në datën 3 Qershor, kryesitë e degëve të Partisë Demokratike në rrethe dhe kandidatët janë të detyruar të sjellin në Komisionin Zgjedhor të PD, emrat e anëtarëve të komisioneve.

Është përcaktuar një periudhë ku do të merremi me trajnimin e komisionerëve.

Deri në datë 6 Qershor do të miratojmë modalitetet e fletës së votimit, do të hedhim shortin e renditjes së kandidatëve.

Brenda datës 7 Qershor do të miratojmë vendvotimet, bazuar në propozimet e degëve.

Listën e votuesve dhe modalitetet përfundimtare të fletës së votimit do miratohen deri në datën 8 Qershor.

Materialet e votimit  do të tërhiqen në datë 12 Qershor deri në orën 16.00 nga kryetari i komisionit dhe secili përfaqësues i kandidatëve që dëshiron të shoqërojë tërheqjen e materialeve të votimit.

Numërimi i fletëve të votimit do të kryhet duke nisur nga ora 19.30 derisa të përfundojë. Dhe deri në datën 14 Qershor në orën 08.00 të gjitha materialet e votimit, nga të gjitha komisionet, do të sillen në Komisionin Zgjedhor të partisë, ku do të hartohet përmbledhësja e gjithë procesverbaleve dhe do të shpallet kandidati fitues.

Ky është kalendari i veprimeve dhe procesit.

Dje në komisionin kemi shqyrtuar dhe kemi dakordësuar me të gjithë anëtarët e komisionit lidhur me axhendën e takimeve të kandidatëve, me mënyrën e rakordimit të kësaj axhende, me detyrimin e strukturave të partisë për të qenë të predispozuar, të detyruar në bazë të Statutit dhe vendimit të Kryesisë, për të caktuar dhe për të gjetur ambientet dhe për të ftuar anëtarësinë në këto takime.

Jemi dakordësuar gjithashtu, sikurse ju thash, për një proces të trajnimit të komisionerëve në të gjithë vendin. Mendohet që të bëhen trajnime në grupe zonash, mund të bëjmë një në Shkodër, një në Elbasan, një ndoshta në Fier, në Tiranë; d.m.th 4-5 të tillë. Do të bëhen trajnime nën moderimin e fondacionit “Konrad Adenauer”.

Këto trajnime mendohet të zhvillohet rreth datave 5- 10 Qershor, varësisht në datat që ekspertët e fondacionit “Konrad Adenauer” e asistojnë PD në të gjitha proceset e saj, për të vënë në dispozicion  njerëzit e duhur.

Dje, gjithashtu kemi marrë vendimin për të përcaktuar numrin e qendrave të votimit dhe numrin e komisioneve të votimit për të gjitha degët e PD. Aktualisht janë 71 degë të PD, në 5 prej tyre do të ketë 2 komisione dhe 2 qendra votimi; këto janë Durrësi, Elbasani, Fieri, Kamza dhe Shkodra sepse bazuar në vendimin që është marrë nga Kryesia e PD, për arsye lehtësimi për degët që kanë mbi 2500 anëtarë do të ketë më shumë se një qendër votimi. Këto 5 degë në të gjitha vendin rezultojnë me më shumë se 2500 anëtarë, në të gjitha degët e tjera do të ketë një komision dhe një qendër votimi.

Numri i anëtarëve gjithsej është 75067 anëtarë, të cilët janë të mbyllur në sistem, janë mbyllur me vendimin e komisionit që në momentin që është marrë vendimi në Kryesinë e PD dhe sistemi mund të check-ohet vetëm në praninë e 4 përfaqësuesve që 4 kandidatët kanë të drejtë të përcaktojnë ekspertë të IT, të cilët do të jenë prezentë në momentin që listat e këtyre 75067 anëtarëve të shkarkohen për tu shndërruar në listat e votuesve.

Gjithashtu, çështja e fundit që kemi diskutuar dhe debatuar dje, dhe për të cilën besoj se ka patur një mirëkuptim, sigurisht kanë qenë kërkesa siç edhe rëndom këto ditë janë shtruar nga individë të ndryshëm por edhe nga përfaqësuesit e kandidatëve dje, lidhur me disponimin e listave të anëtarësisë.

Dua të bëj me dije që ka patur një diskutim të gjatë, të qetë, mirëkuptues edhe në Komision, për një çështje që është thelbësore.

Rregullat e lojës të një organizate politike, as rregullat e lojës së pushtetit, nuk mund të jenë mbi ligjin.

Ai që prevalon është ligji. Shqipëria ka një ligj për mbrojtjen e të dhënave personale të cilën askush nuk ka të drejtë ta prekë pa autorizimin e personit fizik.

Ky ligj i cili është detyrim i procesit që Shqipëria ka për t’u afruar me legjislacionin drejt BE-së, është një ligj i miratuar në vitin 2008, për mbrojtjen e të dhënave personale, jo për kuriozitet, por për publikun sepse edhe një pjesë e atyre që shtrojnë kërkesat nuk jaqnë të paditur në këtë çështje, konsiderohen të dhëna sensitive personale.

Çdo informacion për personin fizik, lidhur me origjinën racore, origjinën etnike, përkatësinë politike, anëtarësinë në sindikata, përkatësinë fetare, përkatësinë filozofike.

Bazuar mbi këtë ligj, ne jemi një parti politike që jemi për ta patur shtetin ligjor, për ta mbrojtur shtetin ligjor, këto të dhëna nuk mund të disponohen përveçse nga ata që janë të autorizuar të çekojnë tek sistemi.

Në këtë sistem çekon vetëm Sekretari Organizativ i partisë dhe një punonjës i caktuar nga partia për këtë punë dhe për të qenë transparent me të gjitbë kandidatët, dhe katër ekspertë IT, që ata do të adresojnë tek sistemi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *