Një 35-vjeçar humbi jetën, pasi u zu poshtë prej një masivi gurësh në galerinë e kromit të kompanisë Albchrome të minierës së Bulqizës. Sipas Policisë Dibër, ngjarja ka ndodhur reth orës 18:35. ”Në një subjekt minerar në Bulqizë, dyshohet se gjatë punës është aksidentuar shtetasi E. A., i cili si pasojë e dëmtimeve të marra ka humbur jetën.”
Kompania AlbChrome –pjesë e grupit Balfin, që është koncensionari më i madh në zonën e Bulqizës, fajësoi për pakujdesi minatorin e aksidentuar.
“Një minator me profesion armator ka gjetur vdekjen si pasojë e aksidentit në nivelin e 18-të të minierës. Minatorët e pranishëm tregojnë se aksidenti ka ndodhur si pakujdesi gjatë punimeve për armatimin e galerisë. Nje katror i armatimin e ka zënë posht minatorin me iniciale E. A. duke i shkaktuar vdekjen.” – thuhet në reagimin e Albchrome.
Punëtorët e shumtë që ndodheshin në Spitalin e Bulqizës, i thanë Bulqizaime.al se minatori i aksidentuar është Elti Alla.
Vetëm pak muaj më parë në galeritë e kromit në Selishtë të Dibrës humbën jetën 2 minatorë dhe një inxhinier minierash, teksa ishin duke punuar. Ndërsa në shkurt të këtij viti një minator 49-vjeçar humbi jetën teksa punonte në galeritë e zonës krom-mbajtëse D në Bulqizë.
Bilancit tragjik të aksidenteve në miniera iu shtuan pesë të vdekur dhe 28 të plagosur gjatë vitit 2020, por vetëm gjysma e rasteve u inspektuan dhe hetuan nga AKSEM.
Qarku i Dibrës, ku ndodhet miniera e Bulqizës, mban vendin e dytë për numrin e lartë të aksidenteve dhe të fataliteteve në vendin e punës pas Tiranës. Gjatë vitit 2020, Inspektorati Shtetëror i Punës raportoi se 7 persona humbën jetën dhe 27 të tjerë u aksidentin në vendin e punës në këtë qark.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Bulqizaime