Kompania ‘Albchrome’ ka dhënë shpegime mbi aksidentin e ndodhur pasditen e sotme në një nga galeritë e saj, ku humbi jetën minatori 35-vjeçar Elti Alla.
Sipas kompanisë, aksidenti ka ndodhur për shkak të pakujdesisë gjatë punimeve në armatimin e galerisë.
‘Albchrome‘ thotë se në këtë çast duhen respektuar zija e ndjenjat e të afërmve të familjarëve të minatorit ndërsa në një çast të dytë do ketë një analizë të plotë mbi shkaqet e ngjarjes.
“Një aksident ka ndodhur sot në minierën e Bulqizës. Një minator me profesion armator ka gjetur vdekjen si pasojë e aksidentit në nivelin e 18 të minierës. Minatorët e pranishëm tregojnë se aksidenti ka ndodhur si pakujdesi gjatë punimeve për armatimin e galerisë. Një katror i armatimit e ka zënë poshtë minatorin me iniciale E. A. duke i shkaktuar vdekjen. Në këto momente jemi thellësisht të tronditur nga aksidenti dhe humbja e jetës e kolegut dhe shokut tonë dhe e gjithë vëmendja jonë është e përqëndruar te familjarët e viktimës, ndaj të cilëve Albchrome shpreh ngushëllimet më të ndjera. Në këtë moment duhen respektuar zija dhe ndjenjat e të afërmve dhe familjarëve të minatorit tonë. Në një moment të dytë do të ketë një analizë të plotë dhe të detajuar mbi shkaqet e ngjarjes.” – thuhet në reagimin e Albchrome.