Vendosni fjalën kyçe....

Depozitat përshpejtojnë rritjen në prill; 700 milionë euro kursime shtesë në një vit pandemi


Depozitat e bizneseve dhe individëve kanë përshpejtuar rritjen përgjatë muajit prill, pas ngadalësimit të tyre në muajt e parë të këtij viti.

Sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, totali i depozitave në paranë e gjerë arriti në gati 1.23 trilionë lekë (9.1 miliardë euro). Në raport me muajin e mëparshëm, kursimet u zgjeruan me 0.57% (6.4 miliardë lekë). Këto janë ritmet më të larta të rritjes përgjatë këtij viti.

Zgjerimi në prill ka ardhur si nga kursimet në lekë (+0.7%) ashtu dhe ato në valutë (+0.43%). Por ndryshe nga muajt e mëparshëm, rritja në lekë është ndikuar pothuajse tërësisht nga kursimet e individëve, ndërsa ajo në valutë si nga bizneset ashtu dhe individët.

Individët vijojnë që të mbajnë paratë e tyre në llogari pa afat, pasi ulja e vazhdueshme e normave të interesit, që për kursimet 12 mujore ka zbritur nën 1%, ka dekurajuar mbylljen e tyre për një afat të gjatë.

Që pas fillimit të pandemisë, ritmet e rritjes së depozitave janë përshpejtuar ndjeshëm, duke reflektuar si pasigurinë në periudhën e krizës, ashtu dhe pamundësinë për të shpenzuar për shkak të kufizimeve në lëvizje.

Në krahasim me prillin e një viti më parë, kur vendi ishte në karantinë totale, depozitat janë zgjeruar me 8.2%, ose rreth 86 miliardë lekë (rreth 700 milionë euro). Kjo tendencë është ndikuar nga shtimi i kursimeve në lekë dhe në valutë si nga individët ashtu dhe bizneset, teksa këta të fundit ngrinë investimet në kushtet e pasigurisë së shkaktuar nga pandemia. Gjithsesi, mosrritja e depozitave të bizneseve në lekë muajt e fundit është një sinjal se sipërmarrjet kanë përshpejtuar qarkullimin e parasë.

Në fund të muajit prill, depozitat në lekë përbënin 46.4% të totalit, nga 46.3% në prill 2019.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *