Vendosni fjalën kyçe....

Erion Veliaj: Do të ndihmojmë të përmbyturit në Preshevë


Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i është përgjigjur thirrjes për ndihmë të kryetares së Komunës së Preshevës, Ardita Sinani.

“Jemi pranë vëllezërve e motrave tona në Preshevë , të cilët po përballen me dëmet nga reshjet e dendura të orëve të fundit. Tirana është me ju, jo vetëm me fjalë, por dhe me mbështetje konkrete përmes një fondi ndihme, që do të miratohet në mbledhjen e ardhshme të K. Bashkiak.”- thotë Veliaj. Kryetarja e komunës së Preshevës Ardita Sinani i është drejtuar më herët me një kërkesë për ndihmë qeverive të Shqipërisë, Kosovës dhe asaj të Serbisë për shkak të vërshimeve në fshatin Rahovicë dhe Raincë, në Luginën e Preshevës.

 

“Në të njejtën kohë, gjatë ditës me kërkesë për mbështetje finansiare, për të përballuar këtë situatë të vështirë për komunën e Preshevës dhe për banorët e prekur nga vërshimet, kërkova ndihmë nga Qeveria e Serbisë.

Po ashtu për ndihmë komunës dhe qytetarëve tanë iu drejtova me shkrim edhe kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama, kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti si dhe kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj.”– është shprehur zonja Sinani.

Ajo ka konfirmuar se kryebashkiaku i Tiranës, ishte i pari që i është përgjigjur kësaj kërkese: “Vlen të përmendet se ishte z. Veliaj i pari që reagoi në Kërkesën tonë, duke ofruar mbështetje edhe financiare përmes një fondi ndihme, të cilën do ta miratojë në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak.”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *