Vendosni fjalën kyçe....

Gjermania njeh zyrtarisht gjenocidin e epokës koloniale në Namibi


Gjermania ka pranuar zyrtarisht se ka kryer gjenocid gjatë pushtimit të Namibisë në epokën koloniale dhe ka vendosur të bëjë një gjest mbështetjetje financiare.

Kolonizuesit gjermanë vranë dhjetëra mijëra njerëz të fiseve Herero dhe Nama atje në masakrat e fillimit të Shekullit 20.

Ministri i Jashtëm Heiko Maas këtë të premte i pranoi vrasjet si gjenocid.

“Në dritën e përgjegjësisë historike dhe morale të Gjermanisë, ne do t’i kërkojmë falje Namibisë dhe pasardhësve të viktimave.”- tha ai, citon BBC.

Maas shtoi se Gjermania, në një “gjest për të njohur vuajtjet e mëdha të shkaktuara mbi viktimat”, do të mbështeste zhvillimin e vendit përmes një programi me vlerë më shumë se 1.1 miliardë eurosh.

Marrëveshja parashikon që ky financim të paguhet për 30 vjet përmes shpenzimeve në infrastrukturë, kujdes shëndetësor dhe programe trajnimi që të përfitojnë komunitetet e prekura.

“Ne tani do t’i referohemi zyrtarisht këtyre ngjarjeve nga perspektiva e sotme: si gjenocid.”- tha Maas në deklaratën e së Premtes, duke shtuar se veprimet e epokës koloniale duhet të diskutohen “pa u kursyer apo lustruar”.

Një zëdhënës i qeverisë së Namibisë i tha agjencisë së lajmeve AFP se njohja e gjenocidit nga Gjermania ishte “një hap i parë në drejtimin e duhur”.

Por disa udhëheqës tradicionalë kanë akuzuar qeverinë se është shitur dhe nuk kanë pranuar paketën e ofruar.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *