Kandidatja për kreun e PD-së Edith Harxhi ka ankimuar në Komisionin e Apelimit për zgjedhjet që drejtohet nga Arben Ristani, vendimin për rregulloren e brendeshme mbi modalitetet për zgjedhjen e kreut të ri të selisë blu.
Sipas Harxhit, rregullorja e miratuar është e pavlefshme pasi ajo është miratuar nga kryesia e PD-së ndërkohë që duhet miratuar nga Këshilli Kombëtar.
“Është këshilli kombëtar që me propozim të kryesisë dhe kryetarit të partisë miraton rregulloren.” – shkruan në kërkesën e saj Harxhi.
Sipas rregullores së miratuar nga kryesia e PD-së, parashikohet që çdo kandidat duhet të ketë një vëzhgues brenda komisionit zgjedhor si dhe zyra e shtypit e partisë duhet të bëjë pasqyrim të barabartë të veprimtarisë zgjedhore të secilit kandidar gjatë fushatës.
Në përgjigjen e tij Ristani shkruan se tani për tani Komisioni i Apelimit ka vetëm një kryetar ndërsa nuk ka anëtarë të tjerë duke mos qenë funksional e kësisoj kërkesa e kandidates nuk mund të shqyrtohet.