Gjuhët në përgjithësi janë gjuhë në zhvillim, pra ndryshojnë gjithmonë. Ka neologjizma (fjalë të reja), ka huazime nga gjuhët e tjera, ka edhe arkaizma (fjalë të vjetra që nuk përdoren më). Por të gjitha këto ndodhin si shkak i zhvillimit të këtyre gjuhëve, për nevoja të domosdoshme të tyre. Nëse ne duam të shtojmë një fjalë-koncept për të emërtuar diçka, mund ta bëjmë, por asnjëherë në mënyrë kategorike dhe asnjëherë me imponim, duke hequr fjalët bazë. Pasuria gjuhësore duket gjithmonë tek sinonimet (fjalë të ndryshme me kuptim të njëjtë).
Problemi nuk është si do quhen dy femra apo dy meshkuj që martohen dhe birësojnë një fëmijë, problemi është që duan të na imponojnë kulturën e tyre. Ku e gjejnë këtë të drejtë?! U rrit kungulli dhe mori gardhin. Faji është i gardhit që lejoi kungullin të mbështetej pak në të. Kungulli do vazhdojë të rritet i lumtur në kopshtin e moralit tonë dhe do luajë ai kungulleshkash me ne.
Duke menduar se kësaj kategorie nuk duhet t’u mohohen të drejtat, po e lejojmë që të penetrojë kaq vrullshëm në moralin shoqëror, për hir të këtyre të drejtave. Për mua fjalët NËNË dhe BABA janë kaq të shenjta, njësoj si fjalët atdhe, liri, tokë, ajër, ujë, njësoj si fjala ZOT! Mbi këto fjalë s’ka sinonim që t’u heqë të drejtën e përdorimit.