Vendosni fjalën kyçe....

Basha me demokratët e Matit e Bulqizës: Lidershipi im nuk është lidership kriminelësh, të shkojmë bashkë drejt stacionit final


Lulzim Basha ka vijuar takimet në Shqipëri në kuadër të zgjedhjeve për kreun e ri të PD-së në zgjedhjet e 13 qershorit.

Kryedemokrati është ndalur sot në Mat dhe në Bulqizë, ku ka deklaruar se  beteja në zgjedhjet e 25 Prillit, ishte “Një betejë që nuk kishte asnjë lidhje me rregullat e demokracisë. Ne u futëm në një betejë, përballë një kundërshtari politik i cili e trajtoi procesin zgjedhor si një masakër elektorale të përgatitur në detaje nga momenti i parë deri në momentin e fundit.

I cili përdori kundër qytetarëve shqiptarë dhe në veçanti demokratëve të gjithë arsenalin e shtetit, të buxhetit, të parave të korrupsionit, të bandave kriminale dhe të favoreve tjera të cilat ju i dini fare mirë dhe nuk ka nevojë t’i rreshtoj këtu, që nga tolerimi me kusht i rritjes së bimëvë narkotike, tek tolerimi me kusht i ndërtimeve pa leje, tek legalizimet për vota, tek blerja e mjerimit që ka mbjellë në sofrat Matjane për një  grusht parash e gjithçka tjetër. Po kështu shoh në sytë tuaj zemëratën për këtë padrejtësi që në fakt nuk iu është bërë vetëm demokratëve por Shqipërisë dhe shqiptarëve.”

Pasi përmendi disa emra për shit-blerjen e votës si Tom Doshin dhe Aqif rakipin, pasi përmendi Malajn e bashkisë së Matit dhe dosjen e Dibrës, Basha tha se lidershipi i tij nuk ka qenë një lidership kriminelësh.

“Keni qëndruar në krahun tim në shumë prej këtyre betejave, në një 8-vjeçar të mbushur me sfida po ku ne nuk jemi zvarritur, as kemi bërë kompromis me të keqen, përkundrazi jemi përballur. Lidershipi im nuk ka qenë lidership kriminelësh, ka qenë një lidership sakrificash. Ndaj, këtu dua të ndalem për një çast dhe t’ju siguroj që nuk ka fjalë në fjalorin e pasur të gjuhës shqipe që mund të shprehë përmasat e vërteta të mirënjohjes që ndjej në shpirtin tim për sakrificën tuaj si dhe t’ju them se për këtë sakrificë dhe vetëmohim, sa të kem frymë, nuk do të resht të bëj asgjë në dorën time, nuk do të lë asgjë pa bërë derisa çdo pikë djerse e sakrificës tuaj, të shpërblehet.

Por me përgjegjësinë që na kanë dhënë shqiptarët, me përgjegjësinë që na kanë ngarkuar demokratët kudo që ndodhen, atë për të sjellë ndryshimin, jam këtu për t’ju kërkuar ndihmën tuaj. Jam këtu për t’ju kërkuar ta vazhdojmë bashkë këtë përballje, ta vazhdojmë bashkë këtë betejë! Natyrisht, të vetëdijshëm se sa më shumë duhet të bëjmë, duke u nisur nga unë dhe sa më shumë të bëjmë, aq më shpejt do t’ia shkurtojmë ditën regjimit.“– tha Basha në Mat.

Ndërkohë në Bulqizë Basha theksoi se misioni i ndryshimit mbetet misioni i demokratëve. Ai u bën thirrje demokratëve të qëndrojnë të bashkuar për ta realizuar këtë.

“Ta vazhdojmë bashkë betejën krah njëri-tjetrit, me besimin e madh, mos të hedhim poshtë atë që kemi ndërtuar së bashku dhe kjo është ftesa ime ndaj çdokujt që e ka zemrën apo mendjen të turbulluar, është që të mos gjejë arsye apo të krijojë arsye për të rrëzuar atë që keni ndërtuar dhe kemi ndërtuar së bashku deri më sot, falë sakrificës së gjithësecilit prej jush. Ndaj, të diskutojmë nga afër shqetësimet, mendimet, kritikat, rrugëdaljet, nga ana tjetër, le të jemi të qartë se kjo garë e ka dhe një disavantazh. E ka dhe një disavantazh dhe disavantazhi që e njohim fare mirë ne këtu, unë, ju, e njeh dhe kundërshtari ynë. Disavantazhi është që pas kësaj qëndrese të gjatë, ku kemi faktuar vendosmërinë tonë, dorëzimi përballë atyre që e konsiderojnë 25 prillin, fitore të Ramës dhe jo një masakër zgjedhore, mund të japë shkak një përçarjeje të re në gjirin tonë dhe këtë ne nuk mund ta lejojmë. Kjo është arsyeja se pse në Këshilli Kombëtar, siç e dinë anëtarët e Këshillit Kombëtar ishin këtu, para se të niste ky proces, i bëra një thirrje: ‘Ndani mendjen, është masakër zgjedhore apo është fitore e Edi Ramës, se në qoftë se nuk është masakër zgjedhore, por është fitore e Edi Ramës, kjo punë nuk bëhet kështu.’ Atëherë, unë e jap dorëheqjen këtu, në këtë moment.

Por në qoftë se jemi të gjithë, siç jemi dëshmitarë se kjo është masakër zgjedhore e nje regjimi, atëherë ejani të vazhdojmë betejën deri në fund drejt një stacioni final që është rrëzimi regjimit që është fitorja e demokracisë dhe e Partisë Demokratike.”- tha Basha.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *