Nga Imeldi Sokoli, urbanist
Objekti Kafes së Madhe në Shkodër, u shemb duke u restauruar apo po restaurohet duke u shembur?!
Lexova sot një lajm të trishtë për të cilin kam kohë që flas e paralajmeroj që do të ndodhte. Lajmi thoshte se një pjesë e Kafes së Madhe u shemb. Në fakt jam dyshues në qoftë se është shembur vetë apo e kanë shembur këto maestrot e “restaurimit”. Çfarë do që të ketë ndodhur ky objekt është viktimë e të gjithëve bashkë, e institucioneve të menaxhimit të trashigimisë kulturore vendore, rajonale e kombëtare, e Ministrisë së Kulturës, e po ashtu e pronarëve aktual që sot janë edhe zhvillues të projektit të ‘restaurimit’ të cilët po korrin me sukses edhe vitet e pritjes për amortizimin e ndërtesës për ta patur më të thjeshtë implentimin e një projketi të ri dhe jo restaurimin e projektit ekzistues.
Fillimi i këtij skandali të paralajmëruar e ka fillesën me Vendimin Nr.771, datë 30.09.2020 “Për Deklarimin Pasuri Kulturore të Qendrës Historike të Qytetit të Shkodrës, Përcaktimin e Zonës Mborjtëse të saj dhe Miratimin e Planit për Ruajtjen, Mbrojtjen dhe Administimin e Tyre” duke ndryshuar kufitë e zonës së mbrojtur dhe duke lënë jashtë saj oborrin e pasëm të Kafes së Madhe ku do të shtohet një objekt i ri ngjitur më objektin ekzistues e gjitha kjo për ti hapur rrugë këtij restaurimit të kamulfuar.
Së dyti mjaft e rëndësishme është edhe mënyra se si u miratua projekti për restaurimin e Kafes së Madhe si Monument Kulture i Kategorisë së Parë i shpallur në vitin 2007. Minimumi që duhej të bënte Këshilli Kombëtar i Monumenteve të Kulturës si organi kompetent për miratimin e lejeve të zhvillimit të objekteve të trashëgimisë kulturore do ishte të bënte një konsultë të hapur me komunitetin dhe me zhvilluesit për vetë rëndësinë që ka objekti në qytetet. Ky miratim është në kundërshti të plotë me parimin e transparencës dhe publiku i gjerë ka shumë pak informacion për ndërhyrjen që po bëhet në këtë objekt. Nga fotot e fundit të dala në rrjete sociale dallohet qartë që objketit ekzistues i ka ngelur vetëm fasada dhe asgje më shumë dhe kjo ndërhyrje në këtë mënyrë është në kundërshti më të gjitha rregullat për lejet e zhvillimit në objektet e Trashigimisë Kulturore.
Jam shumë i vetëdijshëm që këtë skandal të madh do të mundohen ta mbulojnë në forma të ndryshme të gjithë organet koompetente të cilat kanë hyrë në këtë valle e çdo aktor që ka interesa në këtë objekt ama ta keni parasysh që jeni pjesmarrës në një krim urban që do tju ndjeke gjithmonë. Në Shkodër ka objekte të tilla të cilat kanë vlera arkitektonike e të cilat janë mjaft të amortizuara si pasojë e neglizhëcës së autoriteteve e këtu përmend Ish-Muzeun e Qytetit dhe Kullën e Inglizit, Shtëpinë e Dan Hasanit e shumë e shume objekte të tjera. Po nuk u vu dorë në këto objektë në një të ardhme të afërt rrezikojmë seriozisht të mos i kemi më e kështu humbet memorja e qytetit e kështu humbasim atraksionet në qytet e kështu shume shpejt do të fillojmë ti ngjajmë Tiranës me tiraninë e saj urbane.
Një fjalë të fundit dhe për atë skuadrën politike që fliste për Vizionin mbi Shkodrën gjatë fushatës. Flisnit për ndërtim të muzeve për ofertën turistike të qytetit, për atraksionet e qytetit ndërkohë lejoni ose merrni pjesë në një krim të tillë?! Thjeshtë ju qofshi.