Dhjetëra forca policie kanë zbarkuar mëngjesin e sotëm në zonën e Fushë Krujës dhe malësisë së Krujës, në një operacion masiv anti-kanabis.
Aksioni i policisë ka nisur pasi patrullimet e Guardia di Finanza nga ajri kanë zbuluar parcela me kanabis në këto territore, kryesisht në territorin e Niklës.
Në megaoperacion marrin pjesë FNSH dhe RENEA. Në terren ndodhet edhe vetë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, i cili drejton operacionin, bashkë me drejtorin e Departamentit të Policisë Kriminale Tonin Vocaj dhe Drejtorin e Departamentit të Rendit Gjovalin Loka. Deri më tani janë sekuestruar kubikë dhe fidanë kanabisi, të cilat janë asgjësuar me djegie.
Thuhet se janë arrestuar 7 persona, megjithatë ende nuk ka një njoftim zyrtar nga policia.
Operacioni vijon ende, ndërsa janë mbi 10 sera të mbjella me kanabis që janë kamufluar si të mbjella me perime.