Shembet Kafja e Madhe në Shkodër, godina historike për vlerat kulturore dhe arkitekturore, që ka shërbyer për vite me radhë si vendtakimi i të gjithë intelektualëve të kohës.
Godina është shembur të hënën në kuadër të një projekti rikonstruksioni.
Projekti i restaurimit të Kafes së Madhe në Shkodër është miratuar në vitin 2016 nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve, pas konsultimit me Këshillin Shkencor. Investitori ka nisur punën për zbatimin e projektit 5 vite pas miratimit dhe rimarrjes së lejes këtë mars nga Bashkia e Shkodrës.
Punimet që po kryhen në pjesën e pasme të Kafes së madhe kanë zgjuar frikën e qytetarëve se mos zhduket edhe ky monument i trashëgimisë kulturore në Shkodër.
Por drejtoresha Rajonale e Kulturës Kombëtare në Shkodër, Majlinda Laçaj thotë se godinës do i ruhet identiteti, siç është parashikuar në vendimin e vitit 2016.
“Projekti ka qenë ndërhyrje masive në godinë pasi ka qenë tërësisht e degraduar. Nuk ka shembje totale të godines pasi janë ruajtur fasada dhe muret anësore ashtu siç është parashikuar. Punimet janë pezulluar për shkak se projekti nuk ka përfunduar brenda 12 muajsh.”– ka deklaruar Laçaj, citon Top Channel.
Leja e ndërtimit, parashikon restaurim dhe ndërtim 2 deri 3 kate si edhe një kat nëntoke. Arkitekti Artan Shkreli heq çdo dyshim se do ketë tjetërsim të Kafes së Madhe.
Kafja e Mashe ishte një investim i familjes Ashiku në Shkodër, në fund të shekullit XIX kur në Shkodër vazhdonte të lulëzonte tregtia e për rrjedhojë, shumë familje të kamura nga jashtë vitin dhe e vizitonin Skutën e Arit.
Familja Ashiku i kërkoi arkitektit të njohur Kolë Idromeno të skiconte një vend që do të ishte i përshtatshëm për to. Menjëherë Idromeno filloi punën dhe përgatiti këtë skicë e cila edhe sot gjendet në Arkivin Qëndror të Shtetit.
Me të përfunduar ndërtimin, Kafja e Madhe filloi të frekuentohej jo vetëm prej të huajve, por edhe prej shkodranëve duke u kthyer shumë shpejt në strehën ku takoheshin intelektualë. Nëse vërtet Shkodra është djepi i kulturës, Kafja e Madhe është vendi ku kultura u diskutua më së shumti.
Gjatë viteve të komunizmit, Kafja e Madhe, u shtetëzua ndërsa me ardhjen e demokracisë në vitet ’90, godina duhej t’u kthehej pronarëve. Në vitin 1997 u shpall monument kulture i kategorisë së parë.
Trashëgimtarët nuk ranë dakord për ta ndarë dhe ajo mbeti e braktisur dhe nisi të degradonte.