Një ditë pas zjarrit në fabrikën e tullave në Maminas, ka humbur jetën në spital 57-vjeçari Besnik Bojaku.
Ai kishte mbetur i plagosur në zjarrin që ra dje në fabrikë dhe ishte dërguar në QSUT.
Ndërkohë policia ka njoftuar se ka arrestuar lidhur me këtë ngjarje përgjegjësin teknik, 67 vjeçarin me inicialet B.Z.
“Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Shijak kanë arrestuar në flagrancë shtetasin B.Z., 67 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë përgjegjës teknik në fabrikën e tullave në Maminas, pasi nga zjarri i rënë ditën e djeshme në këtë fabrikë, si pasojë e mos respektimit të rregullave të mbrojtjes në punë u lëndua nga zjarri shtetasi B.B., 57 vjeç, banues në Tiranë, i cili ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në QSUT Tiranë.”- thuhet në njoftimin e policisë.
Fabrika e sapondërtuar e tullave u përfshi nga flakët, paraditen e djeshme.
Në momentin e parë në fabrikë ndodheshin rreth 120 punëtorë, por kanë dalë menjëherë sapo ka filluar zjarri.
Shefi i zjarrfikësve Durrës, Adriatik Velaj, tha se paraprakisht besohet se ka qenë një shkëndijë elektrike ajo që e ka shkaktuar zjarrin.