Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla doli sot në një deklaratë për mediet, ku foli për vendimin për ta lënë seancën plenare të shkarkimit të Presidentit më 9 Qershor.
Balla u shpreh se deputetëve u është lënë kohë të njihen me raportin e Komisionit Hetimor.
“Jemi njohur me raportin e paraqitur nga Komisioni Hetimor për verifikimin e shkeljeve të rënda kushtetuese nga ana e presidentit të republikës.
Është një raport shumë konsistent prej rreth 100 faqe dhe natyrshëm deputetët do marrin kohën e duhur.
Kemi rënë dakord në konferencën e kryetarëve se seanca plenare për shqyrtimin e raportit dhe më pas për votimin të bëhet më 9 qershor. Kushtetuta është shumë e qartë që Kuvendi i Shqipërisë e përfundon procedurën e tij më 9 qershor dhe më pas, është një tjetër institucion kushtetues që është Gjykata Kushtetuese që e konstaton nëse shkeljet e konstatuara nga ana jonë janë apo jo shkelje të rënda.”- tha Balla.
Gazetarët e pyetën atë mbi vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese, por Balla tha: “Kjo nuk ka të bëjë me mua, as me institucionin e Kuvendit të Shqipërisë. Kushtetuta është e qartë që Kuvendi e përfundon procedurën e tij në 9 qershor, dhe më pas është Gjykata Kushtetuese që do të vlerësojë nëse shkeljet e konstatuara nga ana jonë janë shkelje të rënda kushtetuese. Nuk kam asnjë koment lidhur me këtë çështje deri në momentin që do shprehet Gjykata Kushtetuese, që është një institucion i pavarur. Duhet të mësohemi që vendimet e gjykatave janë të formës së prerë dhe nuk komentohen nga politikanët”.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së tha se lidhur me emrin e kandidatit të ri për president, do të ketë një bashkëpunim me opozitës.
“Rama ka qenë shumë i qartë. PS nuk e ka nisur procedurën e shkarkimit aktual si një nevojë për të pasur një përfaqësues në institucionin e Presidencës. Por ka ardhur si nevojë për ta çliruar Presidencën nga një pengmarrje dhe një abuzim me detyrën. Procedura të jetë pjesë e një pakete bashkëpunimi me opozitën e re që do të kthehet në Kuvend në 9 shtator.”- u shpreh ai.