Vendosni fjalën kyçe....

“Dasma” e inceneratorëve të Rilindjes me Ben Blushin dhe Vjollca Hoxhën


Nëpërmjet një investigimi mjaft të thjeshtë, dje CNA.al zbuloi një kompani të re që do të zhvillonte aktivitet në Shqipëri. Ndryshe nga të tjera ajo ishte me emra mjaft publikë dhe mjaft të diskutuar. Stela Gugallaj, pronarja e inceneratorit të Elbasanit, që ka përfituar 22 milionë euro nga një kontratë me qeverinë shqiptare, shfaqej në ortakëri me Ben Blushi, drejtorin e Top Channel, dhe Vjollca Hoxhën, një nga aksioneret e këtij televizioni.

Stela Gugallja është akuzuar se ka fituar një kontratë klienteliste nga qeveria. Opozita ka akuzuar shpesh për korrupsion në lidhje me çështjen e inceneratorëve, pasi kompania e saj nuk ka pasur lek për investim, por sapo ka marrë këtë kontratë ka shkuar në një bankë të nivelit të dytë dhe nëpërmjet saj, pra ka çuar kontratën, dhe ka marrë një shumë parash kredi, me të cilën ka filluar investimin e inceneratorit.

E gjithë procedura e ndërtimit të këtij inceneratori është quajtur korruptive nga opozita, por dhe nga mediat që e kanë denoncuar masivisht, vajzën e cila në një moshë fare të re, pa pasur më parë asnjë aktivitet si biznesmene, merr një kontratë koncesionare.

Nga ana tjetër, sipas investigimeve në media, është zbuluar lidhja e Stela Gugallaj me Mirel Mërtirin, i cili është ai që quhet “truri” i inceneratorëve. Por, ai vetë shfaqet si administrator në një kompani tjetër, ku bashkëjetuesja e tij, pra nëna e fëmijëve të tij Stela Gugallja, është aksionere me një shtetas italian. Më pas lidhen nëpërmjet rrjetit të kompanive edhe me inceneratorin e Fierit.(Lexo ketu)

Më pas italiani largohet dhe Stela Gugallja ngelet në aktivitetin e koncesionit të inceneratorit të Elbasanit, ku pa pasur asnjë lek për të investuar shumën e madhe prej rreth 30 miliardë lekë, thjeshtë dhe vetëm mori një kontratë, shkoi dhe me paratë e taksave të shqiptarëve ndërtoi një incenerator.

Më pas Mirel Mërtiri, me lidhjet e tij të forta me Ben Blushin, drejtorin e Top Channel, ku përfshihet edhe Klodian Zoto, njeriu tjetër i inceneratorëve, fillojnë të lëvizin me kompani të ndryshme, në interesa të televizionit kombëtar apo aksionerëve të tyre.

Së pari themelohet një kompani në Bullgari, Em Capital Group, e cila ka aksionere, Eva Blushin, bashkëshorten e Ben Blushit, Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton.

Këta të dy kanë 67% të aksioneve, ndërsa 33% i ka zonja Blushi.

Kjo kompani vjen në Shqipëri dhe blen për 2.2 milion dollarë Valtelina Kafe, e cila mban emrin tregtar Lori Kafe. Tashmë është zyrtare. Aksionerja e Top Channel, Vjollca Hoxha në një nga kompanitë e saj, është ortake në një biznes me njerëzit e inceneratorëve dhe bashkëshorten e drejtorit që ajo ka në televizion.

Shumë njerëz do të thoshin se nuk ka asgjë të keqe, pse nuk duhet të bëjë Vjollca Hoxha biznes me Eva Blushin apo me inceneratorët. Patjetër që çdo lloj biznesi do të ishte i ligjshëm për Zonjën Hoxha, pasi jetojmë në një shoqëri të lirë. Dhe në rast se nuk ka abuzime vjedhje, shmangie taksash e të tjera, pra shkelje të ligjit, biznesi mund të quhet krejt normal.

Por, a mund të jetë normale, që një pronar televizioni të jetë ortak me një kompani të akuzuar nga opozita, jo vetëm për lidhjet me qeverinë, por edhe mënyrën sesi këta njerëz kanë mundur të sigurojnë rreth 178 milionë euro kontrata, nga buxheti i shtetit, nga taksat e shqiptarëve?!

Televizioni edhe pse mund të jetë privat, ai është i publikut sepse përdor frekuenca publike. Televizioni është prona e zërit të qytetarëve, e të vërtetës që ata duan të dëgjojnë. Nuk mund të jetë televizioni ortakëri me afera, bëma apo gjëma të shumë akuzuara të qeverisë.

Kurrësesi nuk mund të ndodhë që një media e besueshme kombëtare të shkojë dhe të ndërtojë ortakëritë e tij me koncesione korruptive, me zyrtarë të korruptuar, etj.

Sepse çfarë kuptimi do të kishte më tej misioni i medias?

CNA.al dje ka mësuar se Vjollca Hoxha, aksionerja e Top Channel, pas kompanisë në Bullgari dhe pas “suksesit” me Valtelina Kafe, ku ajo ka 49% të aksioneve dhe EM Capital Group i Ben Blushit, Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos, ka 51% të aksioneve, ka hapur një kompani të re.

 

Kompania quhet “KUDOPAY” dhe këtë herë sërish kemi aksioner Ben Blushin, i cili në kompaninë e parë nuk ishte me emrin e tij, por këtu del hapur vetë drejtori i Top Channel, në ortakëri me Stela Gugallën e inceneratorit të Elbasanit. Me rreth 16% të aksioneve të kompanisë KUDOPAY, ndërsa Vjollca Hoxha ka 17%. Të dy bashkë kanë rreth 33% të aksioneve, kurse 67% i ka Stela Gugallja.

Një kompani për shëbime karburantesh IT, që nga gazetarët, më pas u tha se është duke u diskutuar me qeverinë koncesioni i pompave të naftës, kolaudimit të tyre dhe shërbimeve të tjera.

Gjithësesi kompania është themeluar një muaj e gjysëm më parë dhe tashmë është e hapur, e pastër dhe e qartë dhe nuk ka diskutime. Pronarja e Top Channel dhe Ben Blushi janë ortakë me pronarët e inceneratorëve, ata që kanë ndërtuar inceneratorët në Shqipëri, me lekët e taksapaguesve shqiptarë.

Në Shqipëri mesa duket tani media, nuk ka më asnjë kufi, nuk ka më asnjë limit, nuk ka më pjesën e moralit public dhe etikës që i duhet. Është e hapur në marrëveshje, në biznes, në tregti me kompani të akuzuara, me kompani që marrin parët publike të shqiptarëve. Me kompani të cilat janë në ortakëri tashmë zyrtarisht dhe publikisht me televizionet.

Qeveria u jep para pronarëve të inceneratorëve. Pronarët e inceneratorëve i ndajnë ato në biznese me pronarët e medias.

 

Kjo është fabula e gjithë kësaj që ne kemi sjellë, jo vetëm sot, por kemi denoncuar që ditën e parë, nga viti 2017 që ka plasur skandali i kocesionit të inceneratorëve.

Dy kompanitë që ka zbuluar CNA.al mesa duket janë “dasma” e koncesionit të inceneratorëve të Rilindjes me Ben Blushin dhe Vjollca Hoxhën.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e CNA


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *