Instituti për Studime Ekonomike Ndërkombëtare në Vjenë së fundmi në një studim të posaçëm vlerësoi klimën e investimeve në rajonin e Ballkanit, duke e lidhur me ndikimin e pandemisë Covid-19.
Në një intervistë me grupe të interesit dhe bizneset, ekspertët e Vjenës publikuan opinionin e agjencisë shqiptare për nxitjen e investimeve (AIDA) për pikat e forta dhe dobëta që ofron Shqipëria për investitorët e huaj.
Favoret
Sipas AIDA-s, Shqipëria zbaton një regjim shumë liberal ndaj investimeve të huaja. Ligji për IHD lejon pronësinë 100%. Shqipëria është e angazhuar për një klimë të favorshme dhe të parashikueshme të biznesit, me disa reforma në sektorët fiskalë që synojnë uljen e borxhit kombëtar dhe investimet në infrastrukturë dhe reformat në arsim.
“Ne kemi një ligj për investitorët strategjikë. Një popullsi të re dhe e arsimuar mirë. Qasje e lirë në tregjet kryesore, të tilla si BE, Turqia, CEFTA. Vendndodhja gjeografike optimale. Jemi urë lidhëse midis veriut dhe jugut të Evropës, me rrjete të mira të lidhjeve të transportit, rrugë, porte dhe aeroporte.” – shprehet Agjencia e Investimeve.
Shqipëria ka performancë e lartë e eksporteve, me IHD-të që janë kontribuuesi kryesor. Shqipëria ka stabilitet makroekonomik, çmime të qëndrueshme, inflacion të ulët, një kurs solid këmbimi. Arsyeja kryesore pse kompanitë e huaja vijnë në Shqipëri janë kostot konkurruese të punës. E dyta është popullata e re, e gatshme të mësojë shpejt, dhe ndërkohë zotëron gjuhë të ndryshme. Shumica e të rinjve janë dygjuhësh, madje flasin disa gjuhë, të gatshëm t’i përshtaten kulturave të reja.
“Kemi një forcë pune shumë produktive, e aftë për të mësuar shumë shpejt, ne e dëgjojmë këtë nga investitorët e huaj që kanë ardhur në vendin tonë. Si dhe vendndodhjen, duke qenë shumë afër të gjithëve në Evropë. Kjo e bën të lehtë zgjedhjen kur bëhet fjalë për logjistikën dhe kostot e transportit të ndërmarrjeve. Ata mund të përdorin mënyra të ndryshme.” – shprehet AIDA.
Disavantazhet
Sipas AIDA-s Shqipëria ka problem korrupsionin dhe investitorët ende po përballen me këtë problem. E dyta do të ishte mungesa e infrastrukturës në disa zona, sepse Shqipëria është ende një vend që është në ndërtim e sipër, kështu që duke qenë në këtë fazë, ne ende po përpiqemi të ndërtojmë infrastrukturën.
“Ne kemi një projekt për ringjalljen e hekurudhës, prandaj është kjo mungesë e infrastrukturës së transportit që na vendos në pozitë të pafavorshme. Si dhe të drejtat e pronës. Procedura nganjëherë zgjat shumë kohë, nga një institucion në tjetrin, në një tjetër, ndonjëherë është burokratike.” – thuhet në vlerësimin e AIDA-s.
Ekonomia informale është gjithashtu një pengesë dhe kapaciteti i kufizuar administrativ.
“Ne duhet të sigurojmë disa trajnime, për të rritur kapacitetin e stafit tonë, në mënyrë që të jemi më efektivë në lidhje me shërbimet e biznesit.” – është shprehur AIDA./ B.Hoxha
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor