Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka reaguar pas videove të nga kryetarja e Gjykatës së Elbasanit Enkeleda Kapedani në “Tik-Tok”.
Ministrja Gjonaj shkruan në një postim në “Twitter” se shfaqjet e gjyqtares Kapedani janë të pakomentueshme dhe kërkon që të merret masa e duhur ndaj saj.
Gjonaj shprehet se ajo vetë i ka kërkuar KLGJ-së që prej dhjetorit të vitit 2019 që të marrë masë për Kapedanin, pas lirimit të një subjekti kriminal.
“Të pakomentueshme shfaqjet e gjyqtares së Elbasanit dhe për të ardhur keq që qysh prej dhjetorit 2019, i kam kërkuar me shkrim KLGJ-së verifikimin dhe marrje mase për të pas lirimit të një subjekti kriminal.
Tani uroj që jo vetëm të merret masa e duhur, por edhe të hetohet në mënyrë të thelluar gjendja pasurore e kësaj gjyqtareje. Tipike për një pjesë të atyre që nuk kanë kaluar ende Vetingun dhe vijojnë të gërryejnë drejtësinë nga brenda!
ReformaNukDoNdalet dhe kush e ka turpëruar drejtësinë do të përballet me të deri në fund!”- shkruan ministrja Gjonaj.
Videot e gjyqtares së Elbasanit duke pozuar nga zyra por edhe në makinë, ndërsa reklamonte veshje “Gucci” dhe këndonte “Unë jam Mafia” u publikuan mbrëmjen e kaluar nga Hashtag.al.
Pas këtyre videove, ILD nisi një hetim disiplinor ndaj kryegjyqtares.