Vendosni fjalën kyçe....

World University Rankings: Universiteti i Tiranës në vendin e 301 nga 350 universitete të Rajonit ECA


Nga 350 universitete të Europës Lindore dhe Azisë Qendrore, Universiteti i Tiranës u klasifikua në vendin e 301 nga njësia prestigjioze e vlerësimit “QS – World University Rankings”.

Njësia e vlerësimit të cilësisë së universiteteve në botë, për herë të parë e përfshiu Shqipërinë në vlerësim në vitin 2020. Në vlerësim mori pjesë Universiteti i Tiranës. Duke marrë në konsideratë këtë vlerësim, Ministria e Arsimit në Strategjinë e Zhvillimit të Arsimit 2021-2026 raportoi se, krahasimi i Universitetit të Tiranës me disa IAL të tjera nga lista e QS-së tregon se cilësia e arsimit të lartë në Shqipëri ka vend për përmirësim thelbësor.

Ekspertët që kanë hartuar programin 5-vjecar në arsim raportuan se, në sistemin e arsimit të lartë ka shumëllojshmëri të ofertës akademike, pa kritere dhe politika strategjike planifikimi, ndërsa numri i programeve të studimit është mbi 1,300.

Një mangësi strukturore e arsimit të lartë në Shqipëri është zhvillimi i programeve të studimit që, nga aspekti i përmbajtjes, përgjithësisht, nuk reflektojnë nevojat e tregut të punës. Kjo vlen edhe për programet profesionale të nivelit 5, të cilat, të shumtën janë teorike dhe me punë praktike të pamjaftueshme.

Megjithatë, sa u përket fushave të përgjithshme të studimit, struktura e të diplomuarve në Shqipëri ka shpërndarje të ngjashme me atë të të diplomuarve në vendet e BE-së.

Duke filluar nga viti 2015, të gjitha institucionet e arsimit të lartë i nënshtrohen akreditimit të detyrueshëm nga ASCAL-i. Agjencia gëzon autonomi në adoptimin e procedurave dhe kritereve të vlerësimit, si dhe në angazhimin e ekspertëve përkatës.

Vetë strategjia e qeverisë vë në dukje se, procesi i akreditimit nuk shoqërohet me mbikëqyrje të vazhdueshme të institucioneve të arsimit të lartë për t’u siguruar se ato u përmbahen kushteve të akreditimit.

Kurrikulat nuk u janë përshtatur me shpejtësi ndryshimeve socio-ekonomike dhe zhvillimeve të tregut. për pasojë, ato nuk kanë qenë gjithmonë efektive. Ekspertët pohojnë se, ka pasur mungesë të një politike të zhvillimit të kurrikulave me synimin për t’i bazuar ato në kompetenca ose rezultate të të nxënit, si dhe për t’i orientuar të rinjtë sa më mirë drejt tregut të punës.

Në fakt, Shqipëria, krahas Qipros dhe Bjellorusisë, është një nga tre vendet anëtare të Procesit të Bolonjës që nuk aplikon qasjen e bazuar në rezultate të të nxënit në arsimin e lartë, ndërkohë që në shumicën e vendeve anëtare të Procesit mbi 50% e programeve të studimit ndërtohen mbi rezultatet e të nxënit.

Hendeku teori-praktikë në formimin e studentëve është një tjetër problematikë që krijon vështirësi për përfshirjen e tyre në tregun e punës.

Në vitin akademik 2018/19 personeli mësimor efektiv në IAL-të shqiptare përbëhej nga 4,844 pedagogë ose 28.7 studentë për një pedagog. Në këtë aspekt, arsimi i lartë shqiptar është nën standardet e arsimit të lartë në BE, ku raporti student-pedagog është 15.4, si dhe në vendet kandidate si Turqia, Serbia e Maqedonia e Veriut ku numri i studentëve për një pedagog është 25.6, 24.2 dhe 15.3 përkatësisht./ B.Hoxha

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *