Dy të rinj janë arrestuar nga policia në lagjen “28 Nëntori” në Elbasan, pas një operacioni për goditjen e drogave të forta në doza të vogla.
Gjatë kontrollit fizik të dy personave si dhe në banesën e njërit prej tyre, policia ka gjetur dhe sekuestruar disa doza lëndë narkotike.
Dy personat akuzohen se merreshin me shitjen e kokainës.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla, gjatë kontrolleve të shtuara për rritjen e parametrave të sigurisë, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasit:
- B., 31 vjeç dhe E. Z. (D), 33 vjeç, të dy banues në Elbasan.
Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi në lagjen “28 Nëntori”, Elbasan, gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tyre dhe gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit E. Z. (D), shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale doza me lëndë narkotike të dyshuar kokainë, 2 aparate celularë, një peshore të vogël që shërbente për peshimin e lëndës narkotike dhe një sasi parash të përfituara nga shitja e lëndës narkotike.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.