Mediet në shtetin fqinj pretendojnë se pas vrasjes së Aristidh Papës në Athinë, fshihet ‘mafia’ shqiptare.
Në raportimet e ditës së djeshme, mediet greke shkruajnë se 32-vjeçari Aristidh Papa ishte viktima e 13-të e bandës shqiptare që shkatërroi qendrën e Athinës që nga viti 2007 duke u marrë me grabitje, vjedhje, trafik droge dhe vrasje.
Anëtarët e kësaj bande përmenden me pseudonime. Kreu 38-vjeçar i bandës njihet si “Mili”, nënkryetarët “Dorian”, “Ladi” dhe “Fredi”.
Sipas këtyre raportimeve, bëhet fjalë për një konflikt mes bandave rivale.
Vrasësit kishin bërë tre përpjekje të dështuara për ta vrarë Papan, e fundit u regjistrua më 26 shkurt 2021. Tentativa e katërt doli e suksesshme pasi ai u qëllua me 8 plumba në një kafene në Rrugën Durrachiou në Sepolia. Vrasësi i tij u largua duke marrë një taksi, siç kishin bërë shkurtin e kaluar autorët e tentativës së 3-të të dështuar.
Aristidh Papa ishte pjesë e bandës rivale të shqiptarëve. Në fakt të dyja bandat janë të përbëra nga shqiptarë, njëra e ekzekutorëve me 9 anëtarë dhe tjetra nga 5, përfshirë dhe Aristidh Papën.
Lufta e përgjakshme e dy bandave të Mafias Shqiptare, kishte lënë pas 12 të vdekur dhe 10 të plagosur.