Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mbrëmjen e së martës në Tepelenë.
Nga të shtënat ka humbur jetën një 54-vjeçar.
Viktima është identifikuar si Çajup Selimi, i cili u qëllua me pistoletë në mes të qytetit.
Forca të shumta të policisë ndodhen në vendin e ngjarjes.
54-vjeçari Çajup Selimi, i cili ndërroi jetë mbrëmjen e sotme në Tepelenë, pasi u qëllua me armë zjarri, rezulton pronar i një biznesi në qytet, ndërsa ka më parë ka qenë i përfshirë edhe në disa konflikte për çështje konkurrence. Në vitin 2018 Selimi u konfliktua me dy persona, të cilët e goditën e atë me mjete të forta.
Në atë kohë, familjarë të Çajupit patën deklaruar se ai ishte sulmuar edhe 4 herë të tjera. Për ngjarjen në vitin 2018 u ndalua Risiano Abedini, po nga Tepelena. Familja Selimi dhe Abedini menaxhojnë biznese me profil të ngjashëm, por nuk dihet ende nëse ngjarja e sotme ka lidhje pikërisht me konkurrencën në biznes.
“Rreth orës 21:15 në qytetin Tepelenës, në lagjen “15 Shtatori”, në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri shtetasi Ç.S., rreth 45 vjeç, i cili ka humbur jetën në Spitalin Rajonal Gjirokastër si pasojë e plagëve të marra.
Menjëherë shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë dhe Forcat Shqiponja të DVP Gjirokastër kanë shkuar në vendngjarje dhe po krehin zonën për kapjen e autorit. Ndërkohë janë ngritur disa pika kontrolli në hyrje dhe dalje të qytetit Tepelenë. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”-thuhet në njoftimin e policisë.