Vendosni fjalën kyçe....

Gruaja e tij ia futi me shuplakë një punonjëseje dyqani, ambasadori belg humb postin (VIDEO)


Belgjika ka shkarkuar nga detyra ambasadorin e saj në Korenë e Jugut, kjo pasi gruaja e tij sulmoi një grua në Seul.

Incidenti ndodhi në muajin prill në një dyqan, ku gruaja e ambasadorit Peter Lescouhier, zonja Xiang Xueqiu qëlloi me shuplakë një nga punonjëset.

Stafi kishte dashur të kontrollonte nëse rrobat me të cilat po largohej ishin të sajat, për shkak të shqetësimit se mund t’i kishte vjedhur, shkruan BBC. Por e nervozuar, zonja Xiang e qëlloi atë me pëllëmbë dhe incidenti u kap nga kamerat e sigurisë.

Ministria e Jashtme belge thotë se pas incidentit zonja Xiang u takua me punonjësen e dyqanit për t’i kërkuar falje për “sjelljen e saj të papranueshme”.

Por Ministrja e Jashtme Sophie Wilmes vendosi t’i japë fund qëndrimit të Lescouhier në postin e ambasadorit, pas tre vitesh në këtë rol.

Ndërsa Lescouhier i kishte shërbyer vendit të tij me përkushtim, “situata aktuale” nuk e lejon atë “për të kryer më tej rolin e tij në një mënyrë të qetë“, tha ambasada në një postim në Facebook.

Në Prill, Lescouhier kërkoi falje për sjelljen “e papranueshme” të gruas së tij.

Zonja Xiang fillimisht kërkoi imunitetin diplomatik për të shmangur akuzat mbi sulmin, por qeveria belge hoqi dorë nga kjo në mënyrë që ajo të hetohej nga policia e Koresë së Jugut.

Çfarë ndodhi në dyqan?

Incidenti ndodhi më 9 Prill në një dyqan rrobash në Yongsan-gu, Seul.

Zonja Xiang, e cila është 63 vjeçe, kishte kaluar rreth një orë duke provuar rroba para se të largohej.

Një anëtare e stafit e ndoqi atë ndërsa ajo po largohej nga dyqani për t’u siguruar që rrobat që ajo kishte të veshura, nuk ishin marrë atë ditë pa paguar.

Gruaja e ambasadorit më pas e ndoqi punonjësen përsëri në dyqan dhe me pas shtyu dhe goditi me shuplakë një anëtare tjetër të stafit që ishte përpjekur të ndërhynte.

Policia e mori në pyetje zonjën Xiang më 6 maj. Ajo më parë ishte trajtuar në spital pasi kishte pësuar një goditje në tru, sipas ambasadës belge.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *