Vendosni fjalën kyçe....

Iku 17 vjeç nga Kosova, suksesi i Ardian Zikës në politikën amerikane


Ardian Zika u largua nga Kosova në moshën 17-vjeçare në kërkim të një jete më të mirë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me familjarët e tij.

E sot, ai është anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve në shtetin e Floridës. Më saktë është në mandatin e tij të dytë pasi mandatin e parë e fitoi në 2018-ën.

“Zëri i Amerikës” i ka kushtuar një artikull shqiptaro-amerikanit i cili tregon se arsyeja që e nxiti të futet në politikë është që të sigurohet se edhe gjeneratat e reja gëzojnë mundësitë që ai i gjeti në SHBA.

“Ky është institucioni që përcakton të gjitha politikat publike që lidhen me drejtimin e shtetit të Floridës, një vend i mrekullueshëm ku jetojnë mbi 20 milionë banorë. Me një buxhet prej mbi 100 miliardë dollarësh. Roli im është shumë i rëndësishëm. Arsyeja kryesore që unë i’u futa garës, është që Florida të vazhdojë të jetë vendi ku njerëzittë vazhdojnë të realizojnë ëndrrën amerikane, në mënyrë që çdo fëmijëtë ketë mundësi të barabarta.”- shprehet ai.

Rrugëtimi i tij sipas Zikës është mishërimi i realizimit të ëndrrës amerikane.

“Unë jam një amerikan që e filloi rrugëtimin si emigrant nga Kosova. Jam mishërimi i veçantisë amerikane. Amerika është një komb i mrekullueshëm. Amerika është vendi të cilin Ronald Reagan e quajti qyteti që ndriçon në kodër, ku kushdo, nga çdo sferë e jetës, mund të vijë, të punojë dhe të arrijë sukses sepse mundësitë këtu janë të pafundme.”- thotë Zika.

Sipas shkrimit të “Zërit të Amerikës”, Ardian Zika mbërriti në SHBA në moshën 17 vjeçare, fillimisht në Luiziana.

Ai mbaroi atje shkollën e mesme dhe fakultetin, ndërsa studimet pasuniversitare i kreu në Florida ku ka vijuar më pas të qëndrojë.

Për 14 vite ai punoi në sektorin bankar, ndërsa më vonë themeloi edhe kompaninë konsulente në fushën e biznesit “Guardian Street”.

Përkundër karrierës së suksesshme në sektorin privat, ai thotë se gjithmonë ishte i interesuar në politikë, sepse e ndjente si detyrim për të kontribuar për vendin, që i dha gjithçka.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *