Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani ka dorëzuar në Këshillin e Lartë të Gjyqësorit (KLGJ) kërkesën për pezullim dhe shkarkim nga detyra të nënkryetares së Gjykatës së Elbasanit Enkeleda Kapedani.
ILD ka shfrytëzuar për herë të parë mekanizmin ligjor të pezullimit të një magjistrati në hetim disiplinor.
Kërkesa e Metanit për pezullim të menjëhershëm të magjistrates bazohet në nenin 152, pika 1 të ligjit 96/2016 për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, sipas të cilit “Kur ka dyshim të arsyeshëm se vazhdimi i magjistratit në detyrë …. diskrediton rëndë figurën dhe pozitën e magjistratit, Inspektori i Lartë i Drejtësisë kryen menjëherë një hetim paraprak për të verifikuar besueshmërinë e burimit të informacionit, sipas nenit 124, të këtij ligji, ose ankesës së paraqitur nga subjektet e përcaktuara në nenin 119 të këtij ligji. Kur Inspektori i Lartë i Drejtësisë krijon bindjen se burimi i informacionit ose ankesa është e besueshme, brenda 3 ditëve nga marrja e ankesës ose nga momenti që ka marrë dijeni për shkeljen e pretenduar, i paraqet Këshillit përkatës raport të arsyetuar, bazuar në faktet dhe provat e mbledhura deri në atë moment për fillimin e një procedimi disiplinor dhe kërkesën për pezullimin e magjistratit nga detyra.”