Vendosni fjalën kyçe....

Ivi Kaso pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor: Nuk dekurajohemi, do i shkojmë deri në fund


Përfaqësuesi i PD-së, Ivi Kaso ka reaguar në një deklaratë për mediat pas vendimit të Kolegjit Gjyqësor Zgjedhor për të rrëzuar padinë për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në qarkun e Vlorës.

Kaso thotë se ky vendim nuk e dekurajojnë PD dhe opozitën për të denoncuar dhe për të kërkuar transparencë.

Ai garanton se beteja do të vijojë për sa kohë të ketë një Gjykatë ku opozita të ankohet.

“Fatkeqësisht një vendimmarrje tjetër negative sot, fatkeqe për transparencën e zgjedhjeve. Një shans i humbur që të administroheshin dokumentacione të cilat provonin sjelljen e paligjshme të të gjithë adminisstratës, jo vetëm zgjedhore por edhe shtetërore të vënë tërësisht në shërbim të pushtetit.

Është një vendimmarrje e cila u paracaktua jo vetëm nga vendimmarrja e djeshme, nga standardi të cilin Kolegji Zgjedhor e vendosi dje, por edhe nga vendimmarrja për mosadministrimin e provave pavarësisht se pati debat të gjatë për domosdoshmërinë e administrimit të tyre, për të hedhur dritë mbi çdo parregullsi, çdo shkelje të ligjit dhe çdo krimin zgjedhor të ndodhur përpara dhe përgjatë datës 25.. Me keqardhje them se është shans i humbur, por nuk na dekurajon për të vazhduar për të kërkuar transparencë, për të vazhduar të bëjmë publike fakte e prova.

Çdolloj shkelje të ligjit e cila e ka influencuar dhe deformuar vullnetin e zgjedhësve. Është bërë e njohur që shqiptarët nuk votuan dot të lirë e të shpreheshin të lirë me votë.

Unë e kam thënë dhe më parë, detyrimin për transparencë e kemi jo vetëm për ata që na besuan. Procesi zgjedhor duhet të çlirohet nga gjithë fenomenet negative. Detyrimi për transparencë vijon të jetë i pandryshuar, përsa kohë të kemi një Gjykatë për t’u ankuar, do i shkojmë deri në fund për të hedhur dritë mbi çdo lloj shkeljeje.”- tha Kaso.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *