Vendosni fjalën kyçe....

Kapen 3 persona në Durrës, u gjenden në makinë 4.6 kg tritol, një automatik, granata e fishekë (Video)


Një sasi lënde shpërthyese, armë zjarri e municion luftarak është bllokuar gjatë një aksioni policor ditën e sotme në Durrës.

Në pranga kanë përfunduar tre persona brenda mjetit me të cilin udhëtonin janë gjetur 4.6 kilogramë lëndë shpërthyese, një automatik ‘Kallashnikov’, municion luftarak, granata dore e kapsolla shpërthyese.  

Njoftimi

“Finalizohet operacioni policor i koduar “Binomi”. Operacioni për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve eksplozive dhe të armëmbajtjes pa leje.   Vihen në pranga 3 persona që ushtronin këtë veprimtari kriminale.

Sekuestrohen 4.6 kg lëndë eksplozive tritol dhe C-4, një kallashnikov, municion luftarak, granata dore dhe kapsolla detonatore.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Durrës,  në bashkëpunim me strukturat e tjera policore të DVP Durrës, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Binomi”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

B.F., 42 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Vjedhja”; A. Gj., 33 vjeç dhe J. F., 33 vjeç, banues në Tiranë.

Pas një hetimi njëmujor u bë i mundur dokumentimi me prova ligjore i veprimtarisë kriminale të kryer nga këta shtetas në fushën e trafikimit të armëve, lëndëve eksplozive dhe municioneve, në qytetet e Tiranës dhe Durrësit.

Bazuar në këto prova, në  vendin e quajtur “Mbikalimi i Shkozetit”, Durrës, në kuadër të operacionit “Binomi”, u bë kapja dhe arrestimi i këtyre personave. Gjatë kontrollit në automjetin   tip “Land-Rover Frilander”, me drejtues shtetasin J. F. dhe pasagjerë shtetasit B. F. dhe A. Gj., Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provave materiale:

  • 1.2 kg eksploziv i paketuar i dyshuar i llojit C-4;
  • 2.2 kg lëndë eksplozive e dyshuar tritol;
  • 3 granata dore luftarake;
  • 4 aparate telefoni celular.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe automjeti tip “Land-Rover Frilander”.

Po në funksion të procedimit penal të nisur një muaj më parë për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar edhe një armë zjarri kallashnikov dhe 1.2 kg lëndë eksplozive tritol, 5 kapsolla detonatore dhe një sasi municioni luftarak.

Vazhdon puna për dokumentimin e plote ligjor të kësaj veprimtari kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në të.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Durrës, për hetime të mëtejshme.”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *