Vendosni fjalën kyçe....

OBSH i riemërton variantet e koronavirusit me shkronja greke


Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka njoftuar një sistem të ri emërtimi për variantet e Covid-19.

Tani e tutje OBSH do të përdorë germa greke për t’iu referuar varianteve të zbuluara së pari në vende si Mbretëria e Bashkuar, Afrika e Jugut dhe India.

Siç shkruan BBC, varianti në Mbretërinë e Bashkuar për shembull është etiketuar si Alpha, Beta i Afrikës së Jugut dhe Delta virusi i Indisë.

OBSH tha që kjo ishte për të thjeshtuar diskutimet, por edhe për të ndihmuar në heqjen e turpit nga emrat.

Në fillim të këtij muaji qeveria indiane kritikoi emërtimin e variantit B.1.617.2 si “varianti indian”, që u zbulua për herë të parë në vend tetorin e kaluar. Megjithëse OBSH kurrë nuk e kishte etiketuar zyrtarisht si të tillë, gjerësisht variantet kanë marrë emrin e vendit ku janë zbuluar së pari.

“Asnjë vend nuk duhet të stigmatizohet për zbulimin dhe raportimin e varianteve.”- shkroi në Twitter drejtuesja teknike e OBSH-së Maria Van Kerkhove. Ajo gjithashtu bëri thirrje për “mbikëqyrje të fuqishme” të varianteve dhe për ndarjen e të dhënave shkencore për të ndihmuar në ndalimin e përhapjes së pandemisë.

Këto shkronja greke nuk do të zëvendësojnë emrat ekzistues shkencorë. Nëse identifikohen zyrtarisht më shumë se 24 variante, sistemi me shkronja greke mbaron dhe një program i ri emërimi do të shpallet, tha zonja Van Kerkhove.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *