Vendosni fjalën kyçe....

OMN vë në lëvizje KPA-në, nis procedimi disiplinor për Luan Dacin


Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka nisur procedimin disiplinor për ish-anëtarin e KPA-së Luan Daci. Kjo me kërkesë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM.

Nga hedhja e shortit është zgjedhur si gjyqtar hetues i kësaj çështjeje Ardian Hajdari, ndërsa anëtare e Komisionit Disiplinor është edhe Ina Rama.

“Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, në regjistrin e Juridiksionit Disiplinor është regjistruar çështja (JD) nr.5/2021, datë 31.05.2021, me kërkues Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit dhe me objekt: ‘Procedim disiplinor ndaj gjyqtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit Luan Daci’. Më datë 01.06.2021, u hodh shorti për caktimin e gjyqtarit hetues dhe më pas, për caktimin e Komisionit Disiplinor dhe kryesuesin e komisionit që do të shqyrtojë çështjen (JD) nr. 5/2021, datë 31.05.2021. Pas hedhjes së shortit, gjyqtari hetues i kësaj çështjeje u caktua gjyqtar Ardian Hajdari, ndërsa Komisioni Disiplinor do të ketë përbërjen siç vijon: Kryesuese: Natasha Mulaj; Anëtare: Albana Shtylla;  Anëtare: Ina Rama.”- thuhet në njoftimin e KPA-së.

Luan Daci akuzohet se ka falsifikuar dokumentacionin në momentin që aplikoi për t’u bërë pjesë e trupës së KPA-së. Në dokumentacionin e paraqitur në atë kohë nga gjyqtari i KPA-së ai fshehu faktin se kur ishte gjyqtar në gjykatën e Tiranës në vitin 1997, KLD-ja me propozim të ministrit të Drejtësisë e shkarkoi nga detyra për shkelje të ligjit dhe paaftësi.

Edhe pse ka një vendim të drejtësisë shqiptare që e ka dënuar atë dhe një vendim të KPA që e ka pezulluar, Luan Daci ka shkuar në punë duke i sfiduar këto vendime.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *