Në seancën e sotme plenare në Kuvend, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi lexoi raportin e veprimtarisë vjetore, ndërsa iu përgjigj gjithashtu disa pyetjeve.
Një pyetje nga deputeti Kujtim Gjuzi ishte nëse Komisioneri kishte në program të bënte një kallëzim penal kundër kryeministrit Edi Rama, lidhur me çështjen e patronazhimit.
“A keni ju zoti komisioner në programin tuaj të realizoni një kallëzim penal për kryepatronazhistin kryeministër, që mori në mbrojtje një forcë jolegjitimësh siç u prezantuan prej tij patronazhistët Fuksë në zgjedhjet e vjedhura 2021. A e quani ju një shkelje të rëndë të së drejtës së mbrojtur me kushtetutë të çdo qytetari, këtë shkelje ligjore nga grupi fuks-patronazhist i drejtuar nga Edi Rama?”- ishte pyetja e Gjuzit, e lexuar nga Dervishi.
Komisioneri u përgjigj se në rast se gjatë hetimit administrative do të hasin në elementë të ndjekjes penale do të veprojnë sipas ligjit. Ai theksoi se ka bashkëpunuar me Prokurorinë e Posaçme SPAK lidhur me këtë çështje?
“Natyrisht mua më vjen pak vështirë t’i lexoj këto sepse në funksionin politik edhe unë mund të bëja folklore, por në pozicionin institucional nuk mundet të dal jashtë kornizës ligjore.
Unë ju garantoj që zyra e komisionerit e ka tashmë të vendosur bashkëpunimin me organin përkatës me SPAK, nga ana e SPAK-ut ne na është kërkuar informacion se sa ne kemi administruar në dosjen e hetimit administrative. Ne ia kemi dhënë në dispozicion dhe në të njëjtën kohë kemi kërkuar edhe nga SPAK-u që të na vërë në dispozicion ato elementë të cilët mund të ndohmojnë në hetimin administrativ. Pra kemi një bashkëpunim të vazhdueshëm.
Në përfundim të hetimit administrative, nëse do të konstatohen elementë të ndjekjes penale natyrisht të jeni i bindur se zyra e Komisionerit do të veprojë sipas ligjit.”- deklaroi Dervishi.