Vendosni fjalën kyçe....

Shoqëroi Ramën në Turqi, flet ministri Klosi: Çfarë bisedova me homologun Ersoy


Ministri i Turizmit Blendi Klosi ka folur në një lidhje me “Skype” për vizitën e tij dhe të kryeministrit Edi Rama në Turqi.

Delegacioni shqiptar ka mbërritur dje në Ankara në një vizitë dy-ditore dhe ministri Klosi thotë se kanë diskutuar mbi projektet e përbashkëta.

Klosi dha disa detaje për “News 24” lidhur me takimin e tij me homologun turk Mehmet Nuri Ersoy për turizmin.

“Nën drejtimin e kryeministrit, ne jemi një delegacion qeveritar me disa ministra dhe drejtues institucionesh për të kontaktuar me homologët tanë turq për të vazhduar shkëmbimet dhe marrëdhëniet ndërmjet institucioneve tona.

Në muajin prill në Gjirokastër ne firmosëm një marrëveshje bashkëpunimi me ministrinë turke të kulturës dhe turizmit, për të realizuar disa pika bashkëpunimi dhe sot isha në zyrën e ministrit turk të Kulturës dhe Turizmit, Mehmet Nuri Ersoy për të diskutuar ecurinë e këtyre pikave, që kanë të bëjnë në radhë të parë me shkëmbimin e eksperiencave tona në botën e turizmit duke vlerësuar maksimalisht eksperiencën dhe mënyrën se si Turqia ka ngritur një industri të jashtëzakonshme.

Shkëmbimi më i ngushtë i institucioneve tona, konkretisht Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe Promovimit të turizmit turk është një nga pikat e negociuara, të debatuara dhe të diskutuara dhe të dakordësuar për të pasur mundësi që Shqipëria të marrë mbështetje nga një institucion i rëndësishëm i promovimit të turizmit në botë për të qenë pjesë e programit të përbashkët, për të marrë eksperiencë.

Ajo që duhet të ecim me shpejtësi të madhe, një problem i madh që kemi në Shqipëri sot është Akademia e përgatitjes së atyre që shërbejnë në fushën e turizmit dhe folëm gjatë me ministrin turk për të marrë një eksperiencë për menaxhimin e shkollave të formimit profesional, të cilat lënë shumë për të dëshiruar në Shqipëri në kuadër të kapacitetit. Besoj që eksperienca turke, mënyra si menaxhohet prej vitesh në Turqi, përgatitja e brezit të ri është shumë e rëndësishme ishte një nga pikat që zgjati më shumë në diskutimet me kolegun Ersoy.”– u shpreh Klosi.

Ministri i Turizmit u shpreh se më vonë do të ketë një informacion zyrtar lidhur me këtë vizitë.

Kryeministri Edi Rama nuk mori pjesë ditën e djeshme në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, për shkak se ishte nisur në një vizitë zyrtare në Turqi. Gjatë qëndrimit të tij është takuar edhe me presidentin Recep Tayyip Erdoğan.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *