Vendosni fjalën kyçe....

Shqyrtohen raportet vjetore të 6 institucioneve në Kuvend, Ralf Gjoni: Të bëjmë edhe pyetje spontane, pa shkrim


Sot në orën 10:00, nisi në Kuvend seanca plenare për shqyrtimin e dy projektligjeve dhe prezantimin e 6 raporteve të institucioneve shtetërore.

Bëhet fjalë për:

  • raportin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për vitin 2020,
  • raporti i veprimtarisë vjetore të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për vitin 2020,
  • raporti i veprimtarisë vjetore të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2020,
  • raporti i veprimtarisë vjetore të Komisionit të Prokurimit Publik për vitin 2020,
  • raporti i veprimtarisë vjetore të Komisionerit të Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil për vitin 2020,
  • raporti i veprimtarisë vjetore të Autoritetit për të Drejtën e Informimit mbi Dokumentet e ish Sigurimit.

Fjalën i pari e ka mbajtur Artur Metani i cili prezantoi raportin vjetor për ILD-në.

Deputeti Ralf Gjoni i kërkoi kryepalamentarit Gramoz Ruçi, që deputetët të lejohen të bëjnë pyetje në lidhje me diskutimin për veprimtarinë e këtij institucioni, pa qenë e nevojshme paraqitja e kërkesës me shkrim paraprakisht.

“Ju e mbani mend, e patëm këtë debat edhe vitin e kaluar. Duhet ta sqarojmë me mirëkuptim dhe pa emocion politik. Nën nenin 103 të rregullores, thuhet se titullari i institucionit paraqet rezolutën. Me sa mbaj mend unë nga administrata e kaluar, raportet e institucioneve të pavarura nuk janë lexuar në seancë. Do doja që të sqaronim procedurën e pyetjeve pasi ka institucione të rëndësishme, si ILD. Sipas rregullores do sugjeroja që deputetët të bënin pyetje spontane, pasi është e lejuar. S’ka nevojë që të parashtrohen me shkrim. Do kërkoja mirëkuptimin tuaj se si do të administrohen këto pyetje.”– tha Gjoni.

Por Ruçi theksoi se këtu nuk kishte asnjë shkelje të rregullores dhe se kanë kërkuar paraqitjen e pyetjeve me shkrim vetëm për të kursyer kohën për pandeminë.

“Rregullorja është e qartë për këtë çështje. Institucionet raportojnë në komisionet përkatëse dhe në seancë një herë në vit. Kështu që ky problem shprehet qartë dhe po e zbatojmë. Kur na nevojë për këtë debat lidhur me këto raportime grupet parlamentare bëjnë kërkesë me shkrim që të zhvillohet debat për to. Edhe sot ka kërkesë për disa institucione. Kur është fjala për debat ka pyetje, diskutime me kohë të caktuar sipas situatës së pandemisë. Lidhur me atë që ju thoni se pasi ‘dëgjoni raportimin’, por me të nuk jeni njohur në sallë, pasi janë në faqen e Kuvendit. Atë që kemi thënë me shkrim është për efekt të pandemisë dhe kohës. Nuk ka ndonjë shkelje të rregullores, përkundrazi zbatohet.”– tha Ruçi.

Sot në Kuvend do të shqyrtohet projektligji “Për hedhjen në treg dhe mbikëqyrjen e artikujve piroteknikë dhe projektligji “Për hedhjen në treg dhe mbikëqyrjen e lëndëve plasëse për përdorim civil”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *